Vendimin e arësyetuar që rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike “Për shfuqizimin e ligjit të Vettingu-t”, Gjykata Kushtetuese pritet t’ía përcjellë të hënën për publikim Qendrës së Botimeve Zyrtare (QBZ).
Burime zyrtare nga kjo Gjykatë thanë sot për ATSH-në se vendimi i arësyetuar i Kushtetueses, me argumentet pro dhe kundër, i marrë më 22 dhjetor, sipas procedurave i kalon për botim QBZ-së, e cila brenda dy-tre ditëve bën publikimin e vendimit në Fletore Zyrtare.
Me botimin zyrtar të ligjit nisin dhe hapat e nevojshëm procedurial për zbatimin e tij, ku dy janë kryesoret. E para është paraqitja e tre formularëve nga gjykatësit dhe prokurorët brenda një afat njëmujor. Ndërsa hapi i dytë është shpallja publike nga Presidenti për komisionerët e Komisionit te Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe për Komisionerin Publik.
Vendimi i marrë në fund të vitit me 6 vota kundër dhe dy vota pro kërkesës së PD-së, që pritej të zbardhej brenda dates 5 janar, do tí hapë rrugën zbatimit të ligjit më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, që do të beje verifikimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale të rreth 800 zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, të të gjitha niveleve.
Subjektet e para që do t’i nënshtrohen Vetting-ut janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.