Një sipërfaqe rruge e mbuluar nga akulli, në unazën jugore të qytetit të Elbasanit, është bërë shkak për një aksident të rëndë ku një 32-vjeçar gjeti vdekjen.
Rrëshqitja e makinës nga akulli në një zonë ku asgjë s’të bën të dyshosh se në rrugë ka ngrica të mëdha i mori jetën 32-vjeçarit Dritan Kalemi, banues në Elbasan.
32-vjeçari drejtonte mjetin tip “Ford” ndërsa për shkak të rrëshqitjes është përplasur me një mjet tip BMW, drejtuesi i së cilës nuk ka pësuar lëndime dhe është shoqëruar në polici për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave.
Përplasja e fortë dhe dëmtimi i madh i mjetit e kanë bërë të vështirë nxjerrjen e trupit të 32-vjeçarit nga makina. Është kërkuar ndihma e zjarrfikëses dhe pas rreth 30 minutash 32-vjeçari është nxjerrë nga makina dhe është dërguar në spitalin rajonal të Elbasanit ku edhe ka gjetur vdekjen pa mundur të marrë ndihmën mjekësore, raporton tch. Policia është duke punuar për të zbardhur më tej shkaqet e aksidentit të rëndë. /a.k