Nga Ilir Babaramo
Prej gati dy vjetësh Kroacia dhe Serbia janë përfshirë në agresionin më të egër verbal që nga koha e marrëveshjes së Dejtonit. Zagrebi po përdor gjithë arsenalin e vet politik dhe diplomatik për ta detyruar Beogradin të heqë nga lista e personave të shpallur në kërkim nga Interpoli luftëtarët e operacionit “Stuhija”, operacionit që zbythi ushtarët serbë nga pushtimi i Krajinës. Konflikti ka marrë permasa ekstreme. Deklaratat kanë arritur kufij ultimativë, ndërkohë që dy vendet janë përfshirë në një garë të ethshme armatimi. Serbia, me daulle të mëdha propogandistike , sapo bleu nga Rusia të tjerë Mig 29, ndërkohë që Kroacia I shtoi flotës së vet të tjerë avionë amerikanë.
Në një kontekst të tillë rajonal ndodhi arrestimi I Rramush Haradinajt në Kolmar të Francës pas një urdhër arresti të lëshuar në vitin 2004 nga Unioni Serbi-Mali. Për shkak të ekzekutimit mga policia franceze të këtij urdhër arresti , Haradinaj e ka të pamundur ti përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në ceremoninë inuagurimit të presidentit Trump. E megjithatë prania apo jo atë ditë e kryetarit të AAK mes dhjetëra mijëra vetave në sheshin para Capitol Hill nuk është dicka shqetësuese. Ajo që është ulëritëse është papërgjeshmëria totale e drejtuesve të dy shteteve shqiptare ndaj urdhër arresteve që Beogradi ka lëshuar për clirimtarët e Kosovës në vecanti dhe politika amatoreske ndaj Serbisë në përgjithësi.
Të gjithë ata që thonë se pas arrestimit të Haradinajt është intriga e rradhës e Thacit, gabojnë. Jo se Thaci apo sivëllau I tij në Tiranë shquhen për besnikëri të zjarrtë me miqtë dhe ish-miqtë. Jo, ky nuk është rasti. Një pyetje fare e thjeshtë nuk ka marrë përgjigje. A e dinë autoritetet shqiptare se kush nga luftëtarët e UCK e ka emrin në Interpol. A ka një listë të dedikuar me emrat e tyre? Gjatë 18 viteve që ka përfunduar lufta, a ka patur ndonjë zyrtar shqiptar që të ketë urdhëruar përpilimin e kësaj liste ? Eshtë gjëja më e thjeshtë për ta bërë. Nuk kërkon më shumë se dy orë kohë për ta patur të plotë këtë listë. Ai që ka munguar duket se ka qene vullneti.
Në cdo kompjuter të Ministrisë së Brendshme apo të policisë mund të hartohet kjo listë. Procedura është e fare e thjeshtë. Sepse cdo vend anëtar I Interpolit hedh në një database të përbashkët emrat e personave që shpall në kërkim. Dhe këto emra dihen nga autoritetet e cdo vendi anëtar të Interpolit. Por duket se drejtuesit e ministrisë dhe policisë për dy dekada me rradhë nuk e kanë patur këtë impenjim. Shqetësim duhet të ketë qenë se mos o zot është Frok Froku në këtë listë dhe jo Rramushi. Për të mos folur pastaj për pazaret që bëheshin vite më parë me drogaxhinjtë e kërkuar nga drejtësia italiane, të cilët paguanin 50 euro për cdo ditë të mos ekzekutimit të urdhër arrestit. Pra lista e Interpolit shikohej si një thes ku mund fusje dorën dhe të merrje para. Dhe kaq.
Sigurisht, përgjegjësia më e madhe është e autoriteteve të Prishtinës. Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e Interpolit, ajo ka akses në database e personave të kërkuar. Jo vetëm në cdo konsullatë të përbashkët Shqipëri-Kosovë , por dhe në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar cdo polic Kosovar ka mundësi të gjejë emrat e shtetasve të vet që janë shpallur në kërkim nga Beogradi, Por duket se për ne shqiptarët pikat e kalimit kufitar nuk janë objekte nga më të rëndësishmet të sigurisë kombëtare por sportele për të bërë plackë.
Arrestimi I Haradinajt duhet të shërbejë si shkak që kancelaritë e dy shteteve shqiptare të shkunden dhe të ridimensionojnë politikën rajonale. Si Thaci ashtu dhe Rama I kanë përqëndruar gjithë energjitë e tyre në dialog me Beogradin. Madje hynë në një garë idiote se kush do ishte I parë në këto negociata. Xhelozi që e coi Thacin deri aty sa përmes kalemxhijve të tij të provokojë debatin e cmendur për kombin Kosovar. Bëri mirë që u tërhoq shpejt.
Rama ka shumë të drejtë kur I kërkon Athinës që si hap të parë të normalizimit të marrëdhënieve më Shqipërinë të abrogojë ligjin e luftës dhe efektet e tij. Por nuk bën të njëjtën gjë me Beogradin. As Rama dhe as Thaci nuk I kërkojnë Vucicit që normalizimi I marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve nis nga fshirja e efekteve të luftës. Dhe lista e luftëtarëve të UCK të shpallur në kërkim është pikërisht efekt I kësaj lufte. Në statusin e fundit të Ramës në FB për arrestimin e Haradinajt mungonte vetëm pasthirrma e Fishtës “O Evropë , o kurvë e motit”. Nuk është faji I Evropës për atë që ndodhi në Kolmar. Sepse as Thaci kur takohej me Dacic në Bruksel dhe as Rama me Vucic në Beograd nuk e kanë ngritur ndonjëherë cështjen e listës së Interpolit. Dhe jo vetëm duhet ta ngrinin si cështje këtë dhe të tjera po kaq bazike, por duhet ta kushtëzonin vazhdimin e dialogut.
Kaq naivë janë treguar të dy sa të duket se janë dy njerëzit më të painformuar në Ballkan. Në kohën kur Serbia është shteti më I izoluar nga fqinjët në rajon, dy drejtuesit e shteteve shqiptare bëjnë garë se kush do takohet më shpesh me autoritetet e Beogradit. Shembulli më I drejtpërdrejtë i izolimit të Serbisë në Ballkan është intervista e fundvitit e ministrit të jashtëm. Dacic ishte më I drejtpërdrejtë dhe se një hamall I lodhur. Shfrynte kundër të gjithëve me tonet më agresive. Ju përvesh Kroacisë, Malit të Zi, kërcënoi Maqedoninë, ndërkohë që I thurrte lavde pa fund Rusisë. Një intervistë prej lunatiku, cka e detyroi shefin e opozitës serbe të dalë dhe ta pyes publikisht nëse “Dacic është ministrisë I jashtëm I Serbisë apo ambasador I Rusisë në Beograd ?!”.
Në një situatë të tillë bëhet pyetja: cili është niveli I marrëdhënieve shtetërore të shqiptarëve me vendet e tjera të Ballkanit? Sa vite ka që një kryeministër shqiptar nuk ka vizituar Zagrebin, Podgoricën, Shkupin? Nuk mbahet mend. Dhe c është kjo garë e ethshme e Tiranës dhe Prishtinës për bisedime me Beogradin në kohën kur Thaci dhe Rama duhet të nguteshin për të vizituar Kroacinë e Malin e Zi. Madje ky I fundit I shpëtoi një grushti shtetit të organizuar nga ushtarakë serbë, që do niste më vrasjen e Gjukanovicit, bllokimin e procesit të anëtarësimit në NATO dhe do përfundonte me kthimin e Malit të Zi në një provincë serbe.
Të jesh në parim kundër normalizimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve është folklorike. Por shqiptarët, në rastin më të mirë, shkojnë në këto negociata në mënyrë po aq kaotike sa ajo ceta e Destan Verdhës së Kadaresë, ku grindeshin se kush do ishte I pari, ai që ka vulën apo ai që ka dylbitë. Negociatat janë të frytshme nëse shkohet me parimin ëin-ëin, pra të fitojnë të dyja palët. Të shikojmë cfarë kanë fituar serbët : Pavarësisht se janë shteti që provokoi tre luftëra dhe qindra mijëra të vrarë, pavarësisht se janë në marrëdhënie të tensionuara me të gjithë fqinjët e tjerë, arritën të shesin në Bruksel bisedimet me shqiptarët duke u paraqitur si faktor stabiliteti. Thënë më shkoqur : në procesin e anëtarësimit në BE u është vënë si kusht dialogu dhe normalizimi I marrëdhënieve më shqiptarët. Dhe cmenduri është që Thaci dhe Rama po ua japin ketë atu. Cfarë kanë përfituar shqiptarët ? Asgjë. “Koncensioni” më I fundit I Beogradit është deklarata se do kërkojë ekstradimin e Haradinajt në Serbi. (Shqiptarja.com)