Temperaturat e ulëta dhe ngricat do të jenë prezente deri nga mesi i muajit janar.
Në një lidhje telefonike për Report Tv meteorologia Lajda Porja deklaroi se nga e mërkura do të ketë rritje temperaturash me disa gradë, por sërish do të mbetet në vlera negative.
Në fund të javës tjetër pritet të rikthehen reshjet e dëborës por me intensitet më të ulët.
“Temperaturat më të ulëta kanë kulmuar mbrëmë pas mesnate, parashikohet që dita e hënë dita e martë sjell një rritje megjithëse nuk është e ndjeshme. Rritja me 1 apo 2 gradë nuk është se bën punë në këto raste duke qenë se temperaturat janë ekstremist të ulëta ku më problematik ka qenë qarku i Dibrës ku janë shënuar edhe vlerat më të ulëta deri në -18 gradë celsius apo në Qafë Mali apo zona të thella edhe më e ulët se kaq.
Parashikohet që dita e mërkurë të sjellë një rritje me 2, 3 gradë dhe në zona të veçanta edhe 4 gradë dhe kjo rritje do të vijojë që nga e mërkura deri në fundjavën tjetër ku më e ndjeshme do të jetë në bregdet dhe në zonat e ulëta ndërkohë zonat malore do të mbeten në vlera negative.
Situata e ngricave do të mbetet prezente deri nga mesi i janarit, megjithëse temperaturat do të rriten deri në fundjavën tjetër pritet që këto zona të kenë vlera negative, jo ekstremisht siç janë aktualisht po do të jenë rreth vlerës -4, -5, temperatura të cilat janë tipike të dimrit për këto zona.
Parashikohet që fundjave të sjellë reshte të pakta dëbore kryesisht në veri dhe verilindje por në sasi të pakta që nuk është se do jenë problematike”, u shpreh Porja./a.k