Siuata vazhdon që të jetë problematike në gjithë vendin nga i ftohti dhe epidemia e gripit.
Në Lezhë, të prekurit nga gripi po reduktohen, por sërish shifrat mbeten të larta krahasuar me vitet e shkuara.
Më shumë se 300 raste janë paraqitur vetëm 24 orët e fundit në qendrat shëndetësore dhe në spitalin rajonal të Lezhës.
Drejtori i Shëndetit Publik në Lezhë, Arben Ristani ka prezantuar situatën gjatë inskeptimit që bëri në polikliniken e qytetit.
Ai ka bërë të ditur se që prej ditës së nesërme do të nisë edhe vaksinimi falas i të sëmurve kronik me vaksinën kundër gripit.
Përgjegjësja e poliklinikes Zoje Zefi thotë se në përgjithësi rastet janë trajtuar prej tyre dhe se nuk ka patur komplikacione të rënda, ndërsa vetem një numër i vogël drejtohet për mjekim më të specializuar në spitalin rajonal.
Për shkak të gjendjes së krijuar edhe së fundmi nga ngricat dhe reshjet e dëborës, qendrat shëndetësore janë urdhëruar për të qëndruar të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes në mënyrë që të shmanget mbingarkesa në fluksin e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të virozave.