Rritja graduale e moshës dhe vjetërisë në punë ndikojnë drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se janë dy prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij.
Gjatë vitit 2017, gratë do të dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 6 muaj, ndryshe nga viti i kaluar që dilnin 60 vjeçe e 4 muaj. Por, jo vetëm mosha, grave u shtohen edhe vitet e nevojshme të punës për të përfituar pension të plotë me 4 muaj. Burrat dhe gratë, këtë vit duhet të kenë 36 vite e 2 muaj punë për të përfituar pension të plotë.
Sipas formulës së re, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 6.860 lekë shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 6.860 x 40 / 36 e 2 muaj = 7.580 lekë. Ndërkohë që përgjatë vitit 2016, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7.665 lekë, pra rreth 85 lekë më e lartë. Ndërkaq, pensioni përbehet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientët përkatës, për t’i aktualizuar me tregun. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve, për të cilën janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën.
KRITERET E REJA
Me nisjen e vitit 2017 ndryshojnë kriteret për të përfituar pensionin e pleqërisë. Kjo pasi, sipas reformës, që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit. Rritja e moshës prek vetëm gratë, të cilat përgjatë vitit 2017 do të dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 6 muaj. Kjo pasi, me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore” parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dy gjinitë.
Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhet të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2017 duhet të ketë 36 vjet e 2 muaj. E njëjta logjikë vlen edhe për femrat, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë.
“GSH” publikon sot tabelat me zgjatjen graduale të moshës dhe periudhës së sigurimit për pension për meshkujt dhe femrat, sipas kategorive përkatëse. Përmes këtyre tabelave, çdokush mund të shikojë me saktësi vitin, në të cilin do të dalë në pension sipas përllogaritjeve të reja si dhe vitet e vjetërsisë në punë, sipas të cilave mund të fitohet pensioni.