Ndërkombëtarët i kanë vënë kusht Kosovës ngritjen e Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e luftës në këtë vend.
E gjitha kjo vjen si rezultat i një raporti të hartuar nga Jose Pablo Baraybar, ish- shef i zyrës të të zhdukurve të UNMIK-ut në Kosovë.
Këtij raporti i referohet edhe deputeti zviceran Dick Marty, por edhe ish- prokurorja e Hagës, Carla del Ponte, në librin e saj.
Në deklarimet e tij të kohës kur u diskutua mbi raportin e “serbëve të zhdukur” të Kosovës, për “transplatet e organeve” tek “Shtëpia e Verdhe” në Burrel, Jose Pablo Baraybar implikon në këto hetime edhe zotin Lulzim Basha, kreun e opozitës së sotme në Shqipëri:
Në një intervistë të tij për të famshmen zvicerane “Le Temps”, Jose Pablo Baraybar thotë:
“Përkthyes im quhej Lulzim Basha, dhe ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë (ICTY).
Më vonë ai u bë ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe unë e kam dëgjuar vitin e kaluar të deklarojë se kjo histori e organeve është asgjë.
Tani unë po them çfarë ai ka thënë.
Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen.”
Kur dhe si e keni marrë informacionin fillestar?
Kur kam mbërritur në Kosovë në qershor të vitit 2002, në dosjet që gjeta aty nuk kishte informacione. Por dy muaj më vonë, ne kemi marrë një dosje shumë të veçantë që të çonte tek “Shtëpia e verdhë”.
Kush jua ka dërguar atë dosje?
Unë nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Dosja përmbante tetë historitë e njerëzve që nuk dinë gjë për njëri- tjetrin dhe që kishin marrë pjesë në transportimin e të burgosurve përtej kufirit shqiptar. Disa viktima i kishin çuar në “Shtëpinë e Verdhë”. Ka pasë dhe foto të shtëpisë, të marra me nxitim. Ajo ishte e verdhë,por pas dy vjeteve kur kam shkuar unë e kam gjetur të lyer në të bardhë.
Dhe çfarë keni bërë me atë dosje?
Problemi i madh ishte se UNMIK-u nuk ka juridiksion mbi Shqipërinë. Pra nuk kishim mundësi për të bërë një kërkesë zyrtare. Në një përpjekje për të verifikuar disa të dhëna në dosje, e kam kaluar kufirin si një turist në një makinë të pashënuar. Përkthyes im quhej Lulëzim Basha, dhe ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë (ICTY). Më vonë ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe unë e kam dëgjuar vitin e kaluar të deklarojë se kjo histori e organeve është asgjë. Tani unë po them çfarë ai ka thënë. Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen.
A ka qenë ky udhëtm i suksesshëm?
Jo. Së bashku me Lulëzim Bashën u jemi prezantuar njerëzve si inxhinierë për të ndërtuar një rrugë. Gjatë bisedave kemi bërë dhe pyetje në lidhje me kampet e UÇK-së. Qëllimi ynë kryesor ishte varreza në Bicaj, në jug të Kukësit, ku sipas dosjes që ne kishim ishin trupat e serbëve të Kosovës. Dick Marty flet gjithashtu për këtë. Ne e kemi pasë identifikuar. Ne kishim të dhëna, por nuk e kishim të mundur të shkonim në Bicaj.
Së fundi, si mundët që të kërkoni në “Shtëpinë e Verdhë” në shkurt të vitit 2004?
Ajo ishte shumë e komplikuar. Ne arritëm të bindim ICTY, (ku punonte zoti Basha. Sh.R), e cila nuk ishte aspak e interesuar në këtë çështje. Por vetëm ajo mund të na marrë leje për të punuar në Shqipëri. Përfaqësuesi i SHBA-ve në Prishtinë gjithashtu nuk ishte i interesuar.
Dhe çfarë keni gjetur?
Puna ishte tmerrësisht e vështirë. Ne u shoqëruam nga një prokuror shqiptar, i cili mbeti duke na thënë se ne po humbisnim kohë, që atij tashmë i shkoi vonë për punët e veta, që ai duhet të kthehej, etj, etj. Sipas përkthyesit tim, prokurori po i udhëzonte banorët e shtëpisë [dmth: familjen Katuci], se si ata duhet tu përgjigjeshin pyetjeve tona. Ne gjetëm në një grumbull mbeturinash prapa shtëpisë pako të drogës, kryesisht relaksantë të muskujve, shiringa dhe madje edhe një kit për transfuzion. E gjithë kjo në mes të një asgjëje. Ishte e paimagjinueshme që ata bujq të dinin përse përdoreshin këto materiale. Gjithçka u mor nga Tribunali i Hagës. Prokurori shqiptar këmbënguli që ai duhej të largohej. Ne kishim akoma kohë të bënim një ekzaminim me Luminol, një produkt që tregon gjurmët e gjakut. Ne kemi parë qartë dy linjat në kënde të drejtë në dhomën kryesore, si dhe në çdo cep të një tavoline. Ka pasur gjithashtu gjurma në mure. Ne nuk u përpoqëm për të marrë një mostër, sepse nuk kishim pajisjet dhe për faktin se Luminol në një farë mënyre neutralizon elementët e shenjave.
Jose Pablo Baraybar, antropolog mjeko-ligjor nga Peruja, ka punuar 20 vitet e fundit si një ekspert i OKB-së në pjesën më të madhe të skenave të krimeve të luftës dhe genocidit në botë si në Haiti, Ruanda, Bosnjë, Kroaci dhe natyrisht Kosovë.
Në Kosovë ai ka punuar nga viti 2002 deri në vitin 2007 në Zyrën e Kërkimeve të Personave të Humbur si ekspert mjeko ligjor i Misionit të UNMIK, krijuar nga OKB në Kosovë.
Ai thotë se në pesë vite përmes zhvarrimeve dhe identifikimeve, shërbimet e kësaj zyre kanë bërë që të ketë më pak se 200 njerëz nga listat e personave të humbura në këto konflikte. Në shumicën e rasteve, ai thotë se ka bashkëpunuar me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe u janë kthyer trupat familjeve. Megjithatë, Jose Pablo Baraybar ishte gjithashtu ndër të parët që informoi për trafikimin e organeve, që denoncon raporti i Dick Marty, dhe një nga burimet e tij./Tema/a.m.