SHBA- Raporti i ri i agjencive amerikane të zbulimit, që u bë publik të premten, arrin në përfundimin se ishte Presidenti Vladimir Putin ai që e dha urdhërin për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Raporti, i bërë publik vetëm disa orë, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump u informua mbi të, thekson se shërbimet ruse të zbulimit kanë kryer sulme kibernetike kundër objektivave që lidhen me zgjedhjet e vitit 2016 dhe që përfshijnë të dyja partitë politike.
“Sipas vlerësimit tonë, presidenti Putin dhe qeveria e Rusisë, kishin një preferencë të qartë për presidentin e zgjedhur Trump”, thuhet në raport.
“Po ashtu ne vlerësojmë se presidenti Putin dhe qeveria e Rusisë synuan të ndihmojnë zgjedhjen e presidentit Trump duke diskredituar, ku të ishte e mundur kandidaten Klinton dhe duke e krahasuar atë në mënyrë të pafavorshme me zotin Trump”, shkruhet në raport.
Ndër gjetjet e tjera:
Presidenti Putin ka patur përvoja të shumta pozitive pune me udhëheqës perëndimorë, interesat ekonomike të të cilëve, i kanë bërë ata më të gatshëm të punojnë me Rusinë.
Fushata e Moskës për të ndikuar, pasoi strategjinë e Rusisë, duke kombinuar operacionet e fshehta, si sulmet kibernetike, me përpjekjet e hapura të agjencive qeveritare ruse, të shtypit të financuar nga shteti, të ndërmjetësve të tretë dhe përdoruesve të paguar të medias sociale.
Pas ditës së zgjedhjeve, raporti thekson se zbulimi rus filloi të bëjë objekt të sulmeve kibernetike punonjës të qeverisë amerikane dhe individë të lidhur me institucionet studimore dhe organizatat jo-qeveritare në fushën e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme.
Ato që u bënë të njohura përmes WikiLeaks, thotë raporti, nuk përmbanin falsifikime të dukshme.
Raporti thekson se “kemi shumë besim se është GRU, shërbimi i zbulimit rus të ushtrisë, që ia ka dhënë WikiLeaks, materialet e marrë nga Komiteti Kombëtar Demokrat dhe zyrtarët e lartë demokratë”.
Sipas raportit, një numër diplomatësh rusë ishin përgatitur për të vënë publikisht në dyshim vlefshmërinë e rezultateve, raporton Voa.
Raporti prej 25 faqesh, thotë se në bazë të aktivitetit të mediave sociale të Moskës, blogerët pro-Kremlinit kishin përgatitur një fushatë në Twitter të quajtur #DemocracyRIP për natën e zgjedhjeve, sepse parashikonin që Hillary Clinton do të fitonte.
Raporti thotë se përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale pasqyrojnë shprehjen më të fundit të dëshirës së vjetër të Moskës për të minuar sistemin liberal demokratik të udhëhequr nga SHBA.
Aty thuhet se qëllimi i aktiviteteve të Rusisë ishte dukshëm më intensiv në krahasim me operacionet e mëparshme./a.m.