Për “Miss Albania 2007”, të jesh person publik duhet të kesh diçka të rëndësishme për të rrëfyer; sekretet e vajzës që s’mund të jetë thjesht Miss. Vajza e kineastit Ilir Harxhi vuri në kokë kurorën e më të bukurës kur ishte 16 vjeçe e tashmë ka lënë arkitekturën për t’iu përkushtuar edhe ajo filmit.
E pas një aventure me foto topless në plazhin e Dhërmiut, Egla Harxhi ka realizuar një set tjetër pozash të nxehta me fotografin e nudove të Melania Trump, Ale de Basseville. Jo pa qëllim ajo ka realizuar një set të veçantë fotosh me imazhin e stampuar të Melanias dhe koleges së saj. Pas këtij seti, ishte e ftuar bashkë me fotografin nga “Zonë e lirë” dhe televizione të tjera për të rrëfyer planet e saj revolucionare në mbrojtje të gruas. Në një nga intervistat për “In TV”, foli hapur edhe për preferencat e saj seksuale.
Ajo u shpreh se nuk i pëlqejnë kategorizimet dhe nuk e quan veten biseksuale apo gay, por se ka tërheqje të njëjtë, si për femrat, ashtu edhe për meshkujt. Kjo deklaratë e Eglës u konsiderua si një “rrëfim skandaloz” nga disa portale, por për missin jo. Për gazetën “Panorama,” ajo flet në mënyrë të detajuar për prirjet e saj seksuale.
Je shprehur se të tërheqin njësoj, meshkujt dhe femrat. Sa e sinqertë ishte si përgjigje?
Në fakt më pyetën dhe u përgjigja sinqerisht. Hmm, në fakt nuk ishte një skandal, sepse është një e vërtetë për mua. Me këtë deklaratë doja të thoja që dashuria nuk ka limite dhe që nuk jetoj apo dua të jetoj një jetë normale, sipas kategorizimeve të shoqërisë. Ashtu si një këngëtar, poet francez Daniel Dark (Taxi Girl) apo Flaubert thoshte që nuk dua të zgjedh, kam dashuri si për femrat, si për meshkujt, shpirti im është i lirë, pra nuk i përket askujt.
Me pak fjalë, nuk dëshiron të jesh “prona” e dikujt?
Po, mund të flas për konceptin e lirisë dhe kundra konceptit të pronësisë. Kur gjërat janë transparente, nuk ka më dyshime, nuk ka xhelozi, nuk ka më drama. Pas intervistës sime, të gjithë u bazuan te kategorizimi si; biseksuale, lesbike etj. Po për mua kjo është diçka shumë më e lartë që ka të bëjë direkt me shpirtin, me emocionet dhe pastërtinë e ndenjave. Nuk doja të promovoja LGBT apo feminizmin, pasi ajo që unë jam ka të bëjë me lirimin e shpirtit nga ngërçet që vendos shoqëria. Nëse njerëz si Jean Paul Sartre, Simone de Beauvoir, Heminguej, Marlene Dietrich i kanë dhënë aq shumë shoqërisë, kush jemi ne të gjykojmë shpirtin e tyre të lirë. Jemi në 2017-n dhe kemi shtypur zërin e njerëzve intelektualë pasi e gjithë bota është zhytur në një degradim kulturor. Nuk ka më lëvizje artistike politike, që pas revolucionit punk.
Çfarë është liria femërore për ty, ç’ka të drejtë të bëjë një femër e lirë?
Liria jote mbaron aty ku fillon liria e tjetrit… Por nuk kemi të drejta, kemi detyrime në shoqëri, detyrën për të luftuar për çështje esenciale, çështje si gruaja, edukimi dhe liria e zgjedhjes. Askush nuk u bie në qafë për shembull çifteve, të cilët rrisin fëmijët në mënyrë skandaloze. Mund të dal dhe të them se jam kundër që çdokush të ketë fëmijë. Kur e mendoj përgjegjësinë e të rriturit të një fëmije, them nuk dua të kem fare fëmijë, nëse nuk do të jem në gjendje t’i jap atë botëkuptim të gjerë të botës dhe ta bëj të përgjegjshëm ndaj detyrave që ka.
Po kur flet për liri seksuale, e ke për shfrenim e seks me këdo, apo jo?
Kur flas për lirinë seksuale, nuk flas që mund të bëjmë seks me këdo, përkundrazi flas për diçka që është shumë shpirtërore. Është patetike kur shoh të gjithë meshkujt që vërsulen nëpër klube mbi femrat, thjesht për një kënaqë- si 5 minuta, sepse aq janë në gjendje ta zgjasin. Ndërkohë që akti i dashurisë është një kohë, ku ti përhumbesh dhe kalon në një dimension tjetër. Vihesh në kontakt me forcën më të madhe të energjisë, e cila çliron çdo bllokim apo frikë që mund të kemi nga vdekja apo jeta.
Për ty seksi është dashuria në vetvete, pra nuk është një moment konsumi?
Seksi nuk është vetëm për t’u riprodhuar apo një gjë konsumi, nuk është imazhi i krijuar nga pornografia. Seksi është forca më e madhe energjike shpirtërore që kemi. Frojdi ka thënë që dy janë dëshirat që vënë në lëvizje racën njerëzore: dëshira seksuale dhe dëshira për t’u dukur për të qenë në qendër të vëmendjes. Njeriu ka një ego të stërmadhe kur mendon se është i vetmi në univers dhe se çdo gjë duhet të rrotullohet rreth tij. Jemi vetëm një pasazh në këtë jetë, dhe ajo çfarë ka rëndësi, është të jemi në harmoni me shpirtin tonë dhe atë kohë që kalojmë mbi tokë, ta kalojmë duke ndarë me njëri-tjetrin forcën më të madhe shpirtëtore.
Të bësh revolucion kundër mentalitetit maskilist, është ajo që synon të arrish në Shqipëri?
Revolucion, por jo kur je vetem, po kur mendje të lira bëhen bashkë dhe krijojnë lëvizje. Sot të rinjtë e marrin të vetëkuptueshme lirinë e të shprehurit, të veshurit me xhinset e grisura apo xhaketat e lëkurës, të folurit për politikën, por nuk e dinë që njerëzit e revolucionit “Punk” janë rrahur nga policia, dhe kanë luftuar deri në fund me çdo mjet, muzikë, film, poezi për t’i dhënë lirinë një brezi që më vonë nuk e ka kuptuar që liria ashtu siç merret, po ashtu humbet kollaj. Unë sot nuk pretendoj të bëj revolucion në botë, por nëse një lëvizje, e cila shkon në një drejtim kundër këtij sistemi të kalbur, jam gati të shkoj. Çfarë mund të bëj për momentin është vetëm të filloj nga vendi im. Ajo që kërkoj të bëj në këto momente është të mbledh rreth vetes vajza të forta, që janë gati të flasin hapur dhe tregojnë forcën e tyre me inteligjencë, dhe i thonë “fuck you!” meskinitetit të kësaj shoqërie. E që refuzojnë të kthehen në objekte seksuale dhe dhune./PANORAMA/