Për herë të parë të gjitha formacionet politike shqiptare kryesore në Maqedoni kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku kanë radhitur kërkesat e tyre në mënyrë që të formohet qeveria e re. Partitë kryesore, BDI, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë deklaruar frontin e tyre unik politik dhe kërkesat e përbashkëta si kusht për bërjen e qeverisë së ardhshme maqedonase. Ndër to janë:
“Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në deklaratën e arritur pas takimeve që drejtuesit e partive politike të Maqedonisë që i realizuan me drejtuesit e shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Partitë, gjithashtu, angazhohen për “debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”; mbështetje të plotë për punën e Prokurorisë Speciale, si dhe “zbardhjen e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”.
Në dokument janë edhe kërkesat për arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal ndërsa kërkohet edhe formimi një i një ministrie për sistem politike dhe marrëdhënie me komunitetet, si dhe realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.
“Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave. Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara”, thuhet më tej në dokument.
Përsa i përket integrimit të Maqedonisë, partitë politike shqiptare në bazë të dokumentit të përbashkët, angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme për “prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë; zgjidhjen e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënie të mira me fqinjët, bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve, hapjen e pikave të reja kufitare, e të tjera”.
Përmbushja e këtyre objektivave, siç thuhet në dokument, do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare, e cila do të funksiononte sipas parimit të rotacionit dhe të përcaktonte afatet për realizimin e objektivave të dokumentit.
ma.me