“Instrumente kërcënimi” kundër Serbisë ka paralajmëruar të premten ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj. Veç kësaj, edhe rishikim të raporteve dhe të dialogut.
Kryediplomati i ka dhënë këto qëndrime në një konferencë shtypi, në të cilën ka folur kryesisht për veprimet e ndërmarra prej kur autoritetet franceze, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Beogradit, kanë arrestuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, tani kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Pas këtij zhvillimi, ministri Hoxhaj ka vendosur të mos lejojë një vizitë në Kosovë që e kishte planifikuar presidenti serb, Tomislav Nikoliq. Ministri ka thënë se do të pasojnë edhe vendime të tjera. Dhe, ka paralajmëruar edhe ndryshim të kursit karshi fqinjit verior.
“Politika e jashtme dhe diplomacia janë instrumente të paqes, por diplomacia ka edhe instrumente të kërcënimit, të cilat do t’i përdorë në raport me Serbinë”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq presidenti serb, Nikoliq, ka deklaruar po të premten se shteti që e drejton nuk është i dobët, gjë për të cilën ka thënë se duhet ta dinë edhe përfaqësuesit e Kosovës. E ka dhënë këtë mesazh, tek ka folur për ndalesën për të hyrë në territorin e Kosovës, ku planifikonte të merrte pjesë në kremtimin e Krishtlindjes Ortodokse. (b.an)