Europa vijon të përballet me motin e ashpër teksa stuhitë e dëborës dhe ngricat kanë prekur pjesë të ndryshme të kontinentit të vjetër.
Situata më e vështirë paraqitet në Poloni, teksa vetëm në 24 orët e fundit janë regjistuar 5 viktima.
Në bazë të raportimit zyrtar, tre prej tyre ndërruan jetë si pasojë e hipetermisë, ndërkohë që dy të tjerët u helmuan nga monoksidi i karbonin që ishte çliruar nga lënda e djegshme që ata po përdornin për t’u ngrohur.
Në këto kushte, qeveria ka nisur të marrë masa duke vënë në dispozicion numra telefoni, ndërkohë që ka bërë thirrje për shmangien e daljeve të panevojshme.
Në Poloni qindra rrugë kanë mbetur të bllokuara gjë që ka detyruar shumë persona të anulojnë udhëtime të ndryshme.
Edhe në Serbi situata është mjaft e vështirë. Si pasojë e ngricave, në qytetin e Nishit ka ndodhur një aksident madhor me makina, ku 17 persona u lënduan, mes të cilëve gjashtë fëmijë. Temperaturat e ulta kanë bërë që shumë persona të vendosen në vështirësi, ndërkohë që me prioritet po shihet situata për emigrantët.
Gjëndja më e rëndë paraqitet edhe në Bullgari, ku sipas njoftimit të zyrtar 650 fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Autoritetet kanë nisur evakuimet pasi në shumë zona termometri ka shënuar minus 20 gradë Celsius shkruan Ora News. Alarmi është dhënë për 20 nga 28 rajone që ka në total Bullgaria.
Në një situatë të vështirë janë gjendur edhe shtete të tjera si Gjermania, Finlanda, Suedia dhe vendet baltike, etj, ndonëse deri më tani nuk ka patur raportime për incidente fatale.
Kompania ruse e gazit, Gazprom njoftoi se ka shënuar rekord për eksportet, te cilat kishin arritur në nivelin 614.6 milionë metër kub të shitura brenda një dite.
I ftohti ka dëmtuar nga ana tjetër kompanitë ajrore të cilat janë detyruar të anulojnë mijëra fluturime. Vetëm Turkish Airlines njoftoi anulimin e 192 fluturimeve që kishin si destinacion ose vinin nga Europa. Edhe kompanitë e tjera europiane kanë njoftuar pasagjerët për anulime të shumta të fluturimeve./a.m.