Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjyq një të ri të akuzuar për gjobëvënie ndaj një gruaje vlonjate, së cilës i kishte kërkuar para për të mos i publikuar fotot e saj intime.
Organi i akuzës ka dorëzuar në Gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit Alfred Sahitaj, 26 vjeç, me banim në Tiranë, i arrestuar disa muaj më parë nga Policia e Vlorës. Ai akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Sipas hetimeve, ky person i kishte vjedhur të dëmtuarës disa foto nga profili i saj në “Facebook” dhe më pas e ka kërcënuar atë me publikimin e tyre , raporton “Panorama”. Disa prej fotove mësohet se kanë qenë imazhe “selfie” që e dëmtuara 35-vjeçare ia kishte bërë vetes me telefon në ambientet e shtëpisë. “Më jep para, ndryshe fotografitë e tua do të përfundojnë në ‘Facebook’”.
Këto mësohet se kanë qenë kërcënimet dhe mënyra si është shantazhuar e dëmtuara nga i dyshuari Alfred Sahitaj.
Pas këtyre kërcënimeve të vazhdueshme në telefon, 35-vjeçarja E.G., me banim në Vlorë, bëri denoncim në polici, duke thënë se i riu e ka kanosur se do të postonte disa foto të saj në rrjetet sociale, nëse nuk i jepte një sasi lekësh.
Denoncimi në Policinë e Vlorës nga e dëmtuara është bërë në datën 9 shtator 2016 dhe pas padisë ka nisur hetimi në lidhje me ngjarjen, ndërkohë disa ditë pas kallëzimit penal, është organizuar puna dhe më datën 17 shtator 2016, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, është ndaluar shtetasi Alfred Sahitaj, vjeç 26, banues në Tiranë./a.m.