Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë alarmin për rritje të numrit të të prekurve nga virusi i gripit
Mësohet se 19 000 të prekur nga epidemia gripale, ndërsa 8 persona aktualisht ndodhen në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, bëhet e ditur se ISHP ka vaksinuar të gjithë punonjësit e vet në qendrat shëndetësore, raporton Balkanweb
Ministria e Shëndetësisë me anë të një deklarate konfirmoi dje zyrtarisht se numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së gripit që po kalon vendi ynë, janë 2. “Aktualisht, janë vetëm dy raste të konfirmuara për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës”,- theksoi MSH.
Sipas MSH, viktimat janë M. K., mashkull, 70 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 31 Dhjetor 2016, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi,” me SPOK (Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike) të riakutizuar, insufiçencë respiratore dhe status gripalis, ndërruar jetë më datë 2 Janar 2017 dhe A. N., mashkull, 71 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 3 janar 2017, po në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, me sëmundje kardiovaskulare dhe insuficiencë respiratore, ndërruar jetë po atë ditë.