Trajneri gjerman i Prishtinës, Lutz Lindemann, me skuadrën është në Gjermani për të marrë pjesë në disa turne të futbollit të sallës. Por, ai qëndrimin në vendlindjen e tij e ka shfrytëzuar për të rrëfyer për futbollin e Kosovës dhe për t’u tallur paksa, shkruan Koha Ditore.
“Është një ligë disi komike. Shënohen pak gola. Nëse je duke kryesuar 1:0, atëherë e fiton ndeshjen në shumicën e rasteve. Nëse je në disavantazh, atëherë është vështirë”, ka thënë Lindemann për gazetën “Ostthuringer Zeitung”.
Prishtina pas 17 javëve zë vendin e tretë në Superligën e Kosovës në futboll me 35 pikë, katër më pak se liderja Trepça ’89 dhe një më pak se Llapi që zë vendin e dytë.
Skuadra e Prishtinës do të marrë pjesë në turnetë e sallës në Soemmerda të shtunën dhe Erfurt të dielën. Prishtina ka udhëtuar kryesisht me lojtarë të rinj në moshë që synojnë të tregohen. (b.an)