Hans Peter Doskozil, një socialdemokrat, tha për të përditshmen gjermane se ndryshimet janë tejet të nevojshme për të krijuar një sistem më të rregullt për emigracionin e ligjshëm të atyre që kërkojnë azil në vendet e bllokut.
“Gjithçka bëhet për t’i dhënë fund politikave të dështuara europiane për azilantët. Ne duhet të pranojmë dhe të jemi të ndershëm, se BE-ja ka kapacitete të kufizuara për të pritur më shumë emigrantë. Ndaj duhet të ndalim emigrimin e paligjshëm”, citohet të ketë thënë ministri austriak nga “Bild”.
Doskozil do ta prezantojë planin në një takim të organizmit për Bashkëpunimin e Mbrojtjes së Europës Qendrore (CEDC) në shkurt dhe synon që “ta promovojë edhe me forcë planin në Bruksel”, tha zëdhënësi i tij.
“Bild” thekson se plani i Doskozil bën thirrje për një kufi emigrimi në BE-së, bazuar mbi kufizimet e vendosura nga vendet anëtare, që do të detyronte vende si Gjermania – që nuk e ka një kufi të tillë, – ta përcaktonte atë. Plani i ministrit austriak të Mbrojtjes bën thirrje gjithashtu për krijimin e qendrave për azilantët në vende si Nigeria, Jordania dhe Uzbekistani, duke shfrytëzuar më së shumti mjediset ekzistuese të përdorura nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR.
Emigrantët të cilëve u refuzohet azili, apo ata që kanë hyrë në BE në mënyrë të paligjshme dhe që duhet të rikthehen në vendet e tyre të origjinës, mund të transferohen në këto “zona të mbrojtura” të lidhura me qendrat e azilit, përcjell TCh.
Zëdhënësi i Ministrisë, duke cituar planin tha se ata emigrantë, të cilët gjykohen se janë në nevojë për mbrojtje, do të mund të transferohen në një vend të BE-së, në varësi të kapaciteteve të atij shteti për të integruar më shumë emigrantë. Aplikimet për azil do të vlerësohen nga ekipet e ekspertëve nga vendet e BE-së, tha ai.
Doskozil ka thënë për “Bild” se plani i tij sjell përfitime edhe për azilkërkuesit që kanë pasur nevojë për ndihmë, por që nuk kanë mundur të aplikojnë më herët sepse nuk kanë mundur të mbërrijnë në Europë.
Austria njoftoi vendosjen e një tavani prej 37.500 kërkesazh për azil gjatë vitit të kaluar, pasi mori mbi 90 mijë azilkërkues gjatë krizës më të rëndë të refugjatëve në Europë të vitit 2015.