Zbardhet mbledhja në zyrën operacionale të situatës në Kryeministri, që u zhvillua nën drejtimin e Kryeministrit, Edi Rama. Në këtë mbledhje morën pjesë ministra dhe drejtues të strukturave të shtetit të angazhuara në përballimin e emergjencave civile për vlerësimin e situatës aktuale dhe asaj të pritshme, si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave e rëndimit të kushteve atmosferike:
Kryeministri Rama: Dua t’i siguroj të gjithë se gjithë strukturat e shtetit janë të angazhuara me një mobilizim të plotë prej disa ditësh.
Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi: Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka marrë informacion në kohë reale nga Shërbimi Meteorologjik i vendit dhe e ka përcjellë atë në të gjithë prefekturat, bashkitë e ministritë e linjës, si dhe ka dërguar gjithë kapacitetet teknike në mbështetje të bashkive dhe prefekturave për mbarëvajtjen e procesit. Situata në gjithë territorin e Shqipërisë paraqitet si më poshtë:
- Reshjet e dëborës kanë mbuluar 1/3 e territorit, kryesisht në Shqipërinë veriore, verilindore dhe juglindore. Në ditët në vazhdim pritet që reshjet e dëborës të zbresin në lartësinë deri në 200 metra.
- Në akset rrugore në veri e verilindje të Shqipërisë, po punojnë rreth 45 borëpastruese e mjete të rënda.
- Temperaturat pritet që në datë 6 të zbresin në -8oC, në datën 7 edhe me -5oC të tjera dhe në datën 8 edhe me 2oC të tjera, çka do tё thotë qё në tre ditët në vazhdim do të kemi një ulje të temperaturës.
- Trashësia e dëborës varion nga 15 deri në 120 centimetra, kryesisht në zonën e Thethit dhe Vermoshit, por deri në këto momente gjithë rrugët nacionale janë të kalueshme.
- Disa akse rrugore në qarkun e Dibrës që lidhin kryesisht qendrën administrative me komunën Selishtë dhe Lurë që janë të pakalueshme.
- E pakalueshme është rruga Bogë-Qafë Thore–Theth dhe Vermosh–Selcë. Më e mirë paraqitet situata në qarkun e Korçës, ku kompanitë kanë krijuar dhe depozita kripe.
- Deri në këto momente nuk kemi asnjë ngjarje të rëndë për shkak të motit.
- Janë ngritur shtabet e emergjencës civile. Në 5 qarqe të Shqipërisë, në Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër dhe Korçë janë nё funksion 24 orë. Aktualisht po bashkëpunohet edhe me kompanitë kontraktore. Kemi përgatitur një thirrje edhe për kompanitë që nuk kanë detyrime kontraktore, që në momente të ngjarjeve të rënda të japin ndihmën e tyre, të parashikuar nga ligji për emergjencat civile.
Kryeministri Rama: E vërteta është që për shkak të një përgatitjeje mjaft të mirë, ajo që në të shkuarën është paraqitur si një plagë gati-gati kronike e mosmirëmbajtjes së rrugëve në kushte të tilla, këtë herë ka funksionuar e po funksionon me një cilësi të re. Është e qartë dhe nënvizohet nga të gjithë, që akset për momentin janë të gjitha të hapura, si pasojë e një pune intensive të bërë nga kompanitë që kanë përsipër mirëmbajtjen.
Ministria e Transporteve: Situata është nën kontroll. Janë marrë masat dhe kompanitë kontraktore janë të gjitha në gatishmëri. Aktualisht:
- Në qarkun e Tiranës duhet pasur kujdes vetëm në aksin Qafë Priskë – Qafë Mollë;
- Qarku i Durrësit nuk ka probleme.
- Elbasan, vetëm në komunën Gjinar ka rënë një gur dhe kemi marrë masat;
- Berat nuk ka probleme.
- Vlorë, nuk ka probleme. Qafa e Llogarasë, mjetet borëpastruese janë në gatishmëri.
- Gjirokastër, situata është normale.
- Korçë, situata është nën kontroll, janë kriposur rrugët. Pritet ulje shumë e madhe e temperaturave, por qarkullimi është normal. Kontraktorët janë në gatishmëri, duke ditur që moti do përkeqësohet.
- Në qarkun e Fierit dhe në qarkun e Lezhës nuk ka probleme;.
- Në qarkun e Shkodrës janë marrë gjithashtu masat.
- Në Kukës ka disa probleme që janë eleminuar sipas informacioneve të fundit. Trashësia e borës është 10-25 centimetra, por janë marrë masat. Ka segmente ku qarkullohet me zinxhir. Është vënë në gatishmëri edhe aeroporti i Kukësit, nëse do ketë nevoja për ulje helikopterësh.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti:
- Masa për të garatuar që sistemi i kullimit të jetë funksional.
- Hidrovoret janë të furnizuara në mënyrë sistematike me energji elektrike dhe janë plotësisht funksionale. Nuk kemi për momentin asnjë pompë me defekt.
- Është dërguar një qarkore sot në mëngjes, në gjithë drejtoritë e bujqësisë, në mënyrë që të jenë në gatishmëri për të siguruar bazën e nevojshme ushqimore për blegtorinë.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri:
Objektivi ynë është së pari për të mos lejuar që të kemi humbje të jetës së njerëzve, ndaj:
- Drejtoria e Rezervave të Shtetit, sëbashku me pushtetin vendor në çdo qark ka marrë masa që të ketë një infrastrukturë të minimumit jetik, për të gjithë ata që do kenë nevojë për ndihmë nga ana shtetit, lidhur me bazën ushqimore apo veshje për shkak të temperaturave të ulëta.
- Është komunikuar nga pushteti vendor për krijimin e strukturave provizore të strehimit të njerëzve në situatë rruge.
- Të gjitha strukturat janë në gatishmëri, përfshirë Policinë e Shtetit, për t’iu gjendur në ndihmë njerëzve në nevojë.
- Për shkak se kemi marrë masa ditë më parë, sot të gjithë akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhir.
- E gjithë infrastruktura strategjike dhe mjetet janë në gatishmëri.
- Të gjitha burimet njerëzore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjitha agjencive që përballen me detyra konkrete në raste të emergjencave civile janë në gatishmëri.
Forcat e Armatosura:
- Ne kemi qenë në gatishmëri dhe do jemi në gatishmëri çdo kohë, për t’ju përgjigjur situatës. Natyrisht dhe me mjete, qofshin ato tokësore dhe ato ajrore.
- Kemi edhe detashmentet e mbështetjes rajonale, për të cilat kemi edhe 3 borëpastruese dhe mjete, që mund të vihen në dispozicion në bazë të situatave dhe kërkesave që do na vijnë.
Kryeministri Edi Rama: Mbetet për t’u theksuar që qytetarët, familjet të kufizojnë sa më shumë lëvizjet.
Nga ana tjetër, ne kemi marrë një masë emergjente disa ditë më parë, për mbylljen e aktivitetit arsimor në të gjitha shkollat e Shqipërisë, si pasojë e një epidemie gripi që është shfaqur në numra shqetësues njerëzish që kërkojnë ndihmë shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj: Ka disa ditë që është kapërcyer pragu i epidemisë. Një situatë që ne e kemi ndjekur që në javën e parë të dhjetorit dhe disa masa i kemi marrë që në atë moment. Por ajo që u vu re këtë vit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën, ishte se intensiteti i lartë filloi 4-6 javë më shpejt seç ka filluar të paktën në dekadën e fundit. Për këtë arsye:
- Në datën 20 dhjetor, Shërbimi Parësor i Tiranës punon edhe të dielën, edhe ditët e festave.
- Shërbimi Parësor në qytete spitale rajonale do të punojë edhe ditën e dielë.
- Janë shpërndarë në të gjithë vendin rreth 61 mijë doza vaksinë gripi, sot do vazhdojnë me pjesën tjetër. Sipas rekomandimeve të mjekeve, vaksinat mund të bëhen edhe tani që epidemia ka filluar, sepse edhe pse nuk e shmang komplet efektin e virusit, e bën sëmundjen më të lehtë, gjë që këshillohet kryesisht për moshat mbi 65 vjeç.
- I gjithë sistemi parësor dhe spitalor është në gatishmëri të plotë.
- Drejtuesit e spitaleve janë këshilluar që sipas situatave në çdo spital të reduktojnë operacionet kirurgjikale të planifikuara, apo shtrimet e planifikuara, por që nuk janë urgjencë. Ende ne si Ministri nuk kemi marrë një vendim për ta bërë këtë në gjithë vendin, po e ndjekim në vijimësi dhe jemi në kontakte me të gjithë spitalet.
- Në javën e parë të dhjetorit, për 90 qendra shëndetësore që zakonisht izolohen gjatë dimrit kemi bërë furnizimin e plotë me barna dhe materiale mjekësore;
- Janë furnizuar qendrat mjekësore dhe pikat që janë nëpër fshatra.
- Në muajin dhjetor, mjekët e familjes janë këshilluar që të shfrytëzojnë recetën 2 mujore, në mënyrë që të sëmurët kronikë mund t’i kenë barnat për dy muaj, derisa të vijë cikli tjetër në fund të muajit shkurt.
- Këshillat ndaj popullatës i kemi filluar nga dje.
- Lidhur me procesin mësimor javën e ardhshme jemi ende në shqyrtim për të dalë me një kërkesë. Po vlerësojmë mundësinë që javën e ardhshme, aktivitete të ndryshme kulturore, të cilat kanë në përgjithësi përqendrim njerëzish, të mund të kërkojmë që të shmangen.
Kryeministri Edi Rama: Respekt për gjithë punën e bërë intensivisht, edhe gjatë ditëve së festave, për t’u përgatitur për këtë situatë. Qartësisht, reagimi është në lartësinë e duhur, por sfida është e madhe, pasi do të përballemi me një situatë të panjohur përsa na takon; ulje drastike të temperaturës thuajse në të gjithë territorin e vendit. Për këtë arsye duhet të mbetemi në mënyrë të vazhdueshme të koordinuar dhe në mënyrë të vazhdueshme të komunikojmë me të gjithë faktorët që janë pjesë e këtij procesi; qytetarët në radhë të parë, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve dhe padyshim pastaj të gjitha strukturat e qeverisë qendrore dhe të pushtetit vendor, për të garantuar që asnjë familje në 28 mijë km2 të Shqipërisë, që mund të izolohet nga dëbora, të mos mbetet e pa asistuar me ushqim apo me ndihmë të shpejtë për çfarëdolloj rasti që mund të paraqitet.
ma.me