Autoriteti Rrugor ka paralajmëruar të gjithë udhëtarët dhe drejtuesit e mjeteve sa i përket gjendjes në Rrugën e Kombit.
Në një njoftim për publikun, ARRSH shprehet se qarkullimi në këtë aks duhet evituar pasi është i pakalueshëm.
Po sipas këtij institucionit, një gjendje e tillë është shkaktuar si pasojë e reshjeve të dendura të deborës.
“Pjesa më e vështirë për t’u kaluar është tuneli i Thirrës. Udhëzojmë drejtuesit e mjeteve që të përdorin zinxhirë dhe të kenë kujdes” – thotë ARRSH.
Nga ana tjetër mësohet se i gjithë qyteti i Kukësit dhe rrethinat janë pa energji elektrike prej orës 13:00 të së enjtes. Shkak për këtë është bërë dëmtimi i linjave të furnizimit me energji elektrike.