Nga Henri Çili
Kjo është fjalia, e përmbysur, e presidentit amerikan Regan, i cili gjatë prezencës epokale në politikën amerikane dhe botërore, ka lënë shumë shprehje, më e famshmja e të cilave është: “Qeveria është problemi, jo zgjidhja!”.
Viti 2016 ishte një vit shumë i keq për liberalizmin dhe liberalët kudo në botë. Ngritja e një fronti populist të të gjitha ngjyrave dhe nuancave. Prishje ose kërcënim për prishje të marrëveshjeve të tregtisë së lirë mes blloqeve të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike të botës. Kërcënim i lirive civile, goditje e grupeve avangardë të shoqërisë në qendrat metropolitane të botës; më i fundit atentati i ditës së parë të këtij viti në Stamboll. Në Europë po ngjiten parti me karakter ekstremist, të majta ose të djathta. Populistët e çdo lloji dhe çdo ngjyre, janë inkurajuar së shumti dhe kanë plane të mëdha për pushtet.
Shkurt, e gjithë diagnoza e vitit 2016 mund të përmblidhej: Kohë të këqija për liberalizmin.
Ndërsa, ka media, personalitete apo specialistë dhe figura shumë të rëndësishme në botë për ta trajtuar këtë problem në nivelin global, (edhe pse zgjedhjet gjetkë janë zgjedhje edhe në shtëpinë tonë), le të kthehemi në shtëpinë tonë dhe në punët tona.
Ky fillim viti, i paraprirë nga kjo vjeshtë, duket i impaktuar apo ndikuar nga kjo axhendë antiliberale botërore edhe në Shqipëri. Shenjat janë të rëndësishme dhe i përkasin kryesisht dy grupeve: ose lëvizjeve të blloqeve të mëdha politike, të qeverisë dhe opozitës, partive të rëndësishme; ose, në nivel episodik në shoqërinë civile, media apo lëvizjet e reja politike.
Këto shenja do t’i rendisim më poshtë, por mjafton që, paraprakisht, të parashtrojmë se nga buron kriza jonë, apo cili është shkaku i krizës sonë.
Edhe pse nuk duhet neglizhuar aspak problematika e një periudhe afatgjatë e Perëndimit në drejtim të liberalizimit, problemet e natyrshme apo reale të këtij procesi reformimi dhe liberalizimi të shoqërive perëndimore, në Shqipëri jemi në kontekst krejtësisht tjetër. Ne nuk kemi qenë kurrë një shoqëri liberale, ne nuk kemi qenë kurrë një shoqëri me një cikël liberalizmi esencialisht të përfunduar. Përkundrazi, ky acar antiliberal ose ndaj lirive në përgjithësi, përfshi atë ekonomike në planin e jashtëm, na gjen në një kantier të papërfunduar reformash apo të reformizmit. Shumë procese kanë nisur dhe kanë mbetur në mes, nga pavendosmëria jonë për t’u ndarë nga regjimi i shkuar; qoftë për të guxuar për një shoqëri të meritës dhe të garës, shkurt një shoqëri të tregut të lirë sa më afër indeksit ideal të konkurrencës.
Shteti shqiptar në këto 25 vjet, pa asnjë përjashtim, ose nuk i ka lëshuar disa sektorë duke ruajtur dominancën absolute në to, ose nuk i ka kryer fare funksionet rregullatore në ata sektorë ku i ka lëshuar plotësisht kompetencat. Për shembull, shteti nuk ka arritur të planifikojë dhe të ruajë kontrollin mbi territorin dhe si përfundim kemi miliarda euro të hedhura thuajse më kot në një territor me një kosto të jashtëzakonshme të shkatërrimit të mjedisit, vetëm sepse nuk ka pasur sistem rregullues dhe aftësi të shtetit për të rregulluar këtë sektor, edhe pse shteti vetë nuk ndërton dhe tregu i ndërtimit është privat. Ose kemi të kundërtën: tregje, siç është rasti i shëndetësisë, ku shteti vazhdon të ruajë më shumë se 90 për qind të këtij sektori dhe nuk lejon sektorin privat të zhvillohet apo të sjellë produkte më të mira dhe konkurruese në këtë prezencë kaq të madhe të sektorit shtetëror.
Të dyja këto fenomene, edhe pse janë të kundërta i bashkon diçka, të dyja këto tregje nuk janë liberalizuar plotësisht, qoftë aty ku mungon rregullatori ose fuqia imponuese e shtetit si rregullator, qoftë edhe aty ku shteti nuk lëshon pozitat si pronarë apo sipërmarrës.
Si përfundim, ne nuk kemi qenë kurrë liberalë, ne nuk kemi qenë kurrë një shoqëri e liberalizuar dhe e reformuar, ne i kemi gëzuar frytet e liberalizmit, të konkurrencës dhe të garës ndërkohë që bota ka shkuar në një fazë tjetër dhe është duke u revoltuar me ose pa të drejtë për efektet perverse të liberalizmit.
Si e tillë, të ngatërrosh këtë fazë në historinë e Shqipërisë është epokalisht e gabuar. Ndaj këtë vit axhenda politike është më e ngarkuar se kurrë. Kur pritet të kemi një përballje elektorale në 18 qershor, dhe ku diskursi politik pritet të përballet me aktorë dhe me gjuhën e aktorëve në beteja me impakt afatgjatë në historinë e vendit, ne rrezikojmë të bëjmë një gabim esencial: të ngatërrojmë fazat.
Dhe shenjat për këtë nga viti 2016 janë. Në tremujorin e fundit qeveria është stepur në avancimin drejt disa ideve liberalizuese në tregje të caktuara, duke iu rikthyer disa politikave me natyrë populiste, ose duke e zëvendësuar politikën e vërtetë reformuese me shpërblime për pensionistët apo falje të kamatëvonesave, dhe elemente të tjera me natyrë tipike populiste. Po ashtu, opozita iu është bashkuar kauzave të rrugës me natyrë plotësisht populiste, krejtësisht jashtë pozicionit të saj ideologjik apo nevojave të vendit për reformizëm të guximshëm. Nga ana tjetër, një grup lëvizjesh politike janë dukur në horizont me një diskutim të rrezikshëm për sistemin dhe reformimin e vendit, me protagonistë politikë të partive të reja që flasin për një rikthim të rolit të shtetit, flasin për oligarkë (është ironike të flasësh për oligarkë në kushtet kur nga 80 mijë biznese, në total, vetëm 1 mijë kanë më shumë se 50 punonjës dhe një xhiro vjetore mbi 6 milionë dollarë).
Ka një diskutim kundër kapitalizmit, kundër lirisë ekonomike, kundër tregut. Ideologë dhe filozofë të së vjetrës puniste në Shqipëri, grupe apo individë marksistë në ekrane, në organizata politike apo në facebook, janë duke rritur pa ndalur helmin në hapësirën publike kundër sistemit demokratik dhe kundër ideve liberalizuese. Gjoja për të mbrojtur publiken dhe interesin publik, lexo monopolin e publikes, vazhdimin e strukturave shtetërore dhe pengimin e hapjes së disa tregjeve, të garës dhe të konkurrencës.
Ndaj, në vitin 2017 është më shumë se e rëndësishme që axhenda liberale jo vetëm të rezistojë por edhe të avancojë, është konteksti, janë rrethanat që axhenda liberale të mund të gjejë shtigje të guximshme për të ecur përpara në dobi të interesit publik, të konkurrencës dhe të marrjes së fryteve të liberalizmit, të garës në çdo sektor. Aktorët politikë nuk duhet të bien në rrethin vicioz për t’iu përgjigjur me një populizëm më të madh sepse suksesi elektoral nuk është aspak i garantuar në këtë mënyrë, por dëmi që mund t’i sjellin vetes dhe interesit publik është katastrofikisht i madh. Në këtë kuptim, ligjërimi i aktorëve kryesorë politikë meriton të mbahet në një presion brenda sistemit ose pro sistemit politik. Një vigjilencë kundër populizmit të çdo lloji është e nevojshme, në vitin 2017 më shumë se kurrë më parë, aq më tepër që kemi edhe zgjedhjet parlamentare. Të cilat në një mënyrë ose tjetër do të formësojnë apo hedhin poshtë këtë dilemë: do të kemi një kthim pas në kursin reformues të vendit apo do të kemi një avancim të këtij kursi. Në interesin e publikut dhe të vendit është pikërisht kjo, avancimi i axhendës liberale.
Dhe për ta mbyllur një koncept nga Sokrati, i shkruar dymijë vjet më parë sikur të kishte parasysh epokën tonë të demokracisë demagogjike. (Mapo)
“Demokracia do t’i paguajë të gjitha, ngaqë do të provojë t’u përgjigjet të gjithëve. Të varfrit do t’i duan pasuritë e të pasurve. Demokracia do t’ua japë ato. Të rinjtë do të duan të konsiderohen si të vjetrit, gratë do të duan të jenë si meshkujt, të huajt do t’i duan të drejtat e vendësve. E demokracia do t’ua japë ato. Hajnat e mashtruesit do të duan funksione të rëndësishme. E demokracia do t’ua japë ato. Dhe kur hajnat e mashtruesit në fund do ta marrin pushtetin demokratikisht, sepse kriminelët dhe keqbërësit aspirojnë fuqinë, atëherë do të lindë një tirani edhe më e egër sesa ato të kohëve të cilësdo monarki apo oligarki”.