Braktisja dhe harresa e ka bërë një 78-vjeçare të endet nga një shtëpi në tjetrën. Të trokasë dhe të kërkojë strehim, pasi fëmijët e saj nuk mund ta mbajnë dot më.
Salushe Çiçollari është një e moshuar me origjinë nga Përmeti. Ajo solli në jetë plot 5 fëmijë, por sot ajo kërkon të shkojë në një azil dhe të kalojë vitet që i kanë mbetur. Dhëndri më i vogël i kësaj familje, Fluturim Dine, ka ardhur në studion e emisionit “Me zemër të hapur”, në News24 për të kërkuar strehim për vjehrrën e tij pasi e ka të pamundur ta mbajë.
Ai ka 9 muaj që e mban në shtëpi dhe mundësia ekonomike e detyron ta largojë nënën e bashkëshortes. Kjo e fundit ka bërë që të hyjë në konflikt me burrin pasi e ka shumë të vështirë të debojë nënën, atë që e solli në jetë dhe e rriti me shumë sakrifica.
Vjehrra tashme është kthyer në një mollë sherri në familjen Dine, edhe pse dhëndri kërkon ta sistemojë të moshuarën.
Tre djemtë e Salushe Çiçollarit e kanë braktisur nënën e tyre dhe madje as telefonin nuk i hapin. Fluturim Dine u ka kërkuar tre kunetërve të tij të tregohen më të përgjegjshëm dhe të gjejnë të gjithë së bashku një zgjidhje për 78-vjeçaren.
Por heshtja e tyre ka bërë që sot dhëndri i Salushes të jetë në studion e emisionit “Me zemër të hapur” për t’ju bërë apelin e fundit fëmijëve të të moshuarës dhe t’u kërkojë ndihmë institucioneve që e moshuara të strehohet në një azil./a.k