Nga Ilir Hoxholli
Do duhet një ditë të ndalojmë këtë spirale vetshkatërruese që po na merr çdo vlerë. Lajmet se me kë fle filan këngëtar ose këngëtare, provokimet e tyre duke dalë në prolet e tyre të zhveshura, të përcjella në rrjete sociale si provokime, ku pas një rasti sporadik, shtohen në raste të shumta si një sukses, ku zërat që i kundështojnë vijnë në rënie si të pafuqishëm apo të prapambetur. Më pas këto modele ndiqen nga njerëz të thjeshtë që pse jo ëndërrojnë të bëhen dikushi në mënyrën më të lehtë, për të cilën nuk kanë asnjë meritë për zikun e tyre.
Nuk më shqetësojnë këta individë, por promovimi i tyre në shoqëri është i frikshëm në termat, “ka të drejtën e saj/tij”, “të drejtat e njeriut”, “moderniteti” “është kohë tjetër”. Po dorëzohemi përballë modeleve të tilla? Lexova para disa ditësh që një shqiptar nga Amerika kishte ndihmuar 150 familje në Pukë. Lajmi nuk pati përkrahje në rrjete sociale, shumë bashkatdhetarë mund të nxiten, a nuk është ky një model që duhet përhapur? Shumë të rinj mbjellin pemë, nuk i mbjellin për vete, sepse të gjithë kemi nevojë për oksigjen, po këta nuk kanë aspak vëmendjen e një këngëtareje apo prezantuese që hedh një foto. Pse? A nuk kemi dëshirë për një jetë cilësore, a nuk duam t’i rrisim të shëndetshëm fëmijët tanë? Kanë ndryshuar kohët?
Pafuqia jonë për të ruajtur vlerat ia drejtojmë gishtin “kohës” si një dorëzim vlerash. A mund të jenë të ndara një femër që bëhet e famshme nëpërmjet formave fizike, nga respekti ndaj prindërve? Ajo hedh foto në të gjitha skajet e botës, makina luksoze, dreka, darka, duke u servirur si model edhe ndaj një vajze që familja nuk ia plotëson dot kërkesat. Ajo dëshiron të ketë një jetë si shoqet e saj. Ajo mund t’i urrejë prindërit e saj që nuk ia dhurojnë dot këtë jetë të kushtueshme.
Këto modele po i përhapim vetë, në respekt të të drejtave të saj, por nëse ajo ka drejtë të dali si të dëshirojë, a nuk paskemi ne të drejtë si shoqëri ta refuzojmë përhapjen e këtij modeli? Duhet forcë për ta refuzuar në një shoqëri, ku edhe humori ka marrë doza tragjike, ku promovohen njerëz me probleme mendore, për të cilët shoqëria duhet t’i kishte në përkujdesje, e jo t’i shihnim si argëtim.
Në këtë spirale argëtuese pa kufinj, ku pasojat do t’i vuajme ne, kur të kemi nevojë për një gotë ujë në pleqëri, pyetja që lind për fëmijët tanë është: a do kenë ndonjë robë të veshur në trup, kur të dalin rrugëve dhe si do ecin në jetë ata që nuk e kanë trupin e mirë?/27.al/