Kush rreh gruan në mënyrë të përsëritur, edhe nëse e dëmtuara do të tërheqë denoncimin, siç ndodh zakonisht, dhunuesi nuk do t’i shpëtojë më hetimit dhe ndëshkimit.
Kështu parashikon paketa me ndryshimet e reja në Kodin Penal. Projektligji, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili pritet të shqyrtohet dhe miratohet në fillim të këtij sesioni parlamentar, parashikon rritjen e masës së dënimit për dhunuesit e përsëritur të anëtarëve të familjes, ndërsa për herë të parë, ndjekja penale nuk do të pushohet edhe nëse e dëmtuara heq dorë nga denoncimi.
Konkretisht, nisma ndryshon paragrafin e parë të nenit 130/a të Kodit Penal, ku përcaktohen dy masa dënimi për ata që ushtrojnë dhunë në familje. Kur vepra penale kryhet për herë të parë, parashikohet një masë dënimi deri në dy vjet burg, ndërsa në këtë rast çështja pushohet nëse e dëmtuara tërheq kallëzimin. Por nëse dhuna është e përsëritur, parashikohet një dënim deri në tre vjet burg, ku në rastin konkret, tërheqja e denoncimit nuk ka do të ketë asnjë efekt.
“Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, kur kryhet për herë të parë, dënohet me burgim deri në 2 vjet. Në këtë rast, ndjekja penale bëhet mbi ankimin e të dëmtuarit dhe pushon kur ai heq dorë. Kur kjo vepër kryhet në mënyrë të përsëritur, dënohet me burgim deri në 3 vjet. Në këtë rast, ndjekja penale fillon mbi ankimin e të dëmtuarit dhe nuk pushon nëse hiqet dorë nga ankimi”, thuhet në projektligj.
Kodi aktual
Kodi aktual në fuqi u mundësonte, kryesisht burrave, të cilët dhunonin gratë apo një anëtar tjetër të familjes, që të shpëtonin jo vetëm nga ndëshkimi, por edhe nga ndjekja penale, për shkak se gratë, në shumë raste, tërhiqnin denoncimin ndaj dhunuesit. Në disa raste, dhunuesit të cilët kanë shpëtuar disa herë drejtësisë, kanë vrarë më pas bashkëshortet. Vetëm gjatë vitit 2016, 9 gra janë vrarë nga burrat. Ndërhyrjet në kod pritet t’i japin fund kësaj praktike. Ndërkaq, përpos ashpërsimit të masave ndaj dhunës në familje, ndryshimet ligjore parashikojnë që gjykata nuk mund të vendosë masën e arresti me burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë deri në 2 vjeç si dhe ndaj grave mbi moshën 60 vjeç.
Zvarritja e seancave
Dënimi i burrave që rrahin gratë për herë të parë apo në mënyrë të përshitur do të bëhet në një kohë rekord. Krahas ndryshimeve në Kodin Penal, në Kuvendin e Shqipërisë pritet të paraqitet edhe një paketë me ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Përpos të tjerave, ndryshimet mbyllin çdo hapësirë dhe alibi nga avokatë, prokurorët, gjyqtarët apo palët në proces për të shtyrë seancat gjyqësore. Pas nenit 341 të KPP, është shtuar neni 341/1, i cili parashikon që në rast se një avokat apo prokuror nuk është i pranishëm gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësor pa ndonjë shkak të arsyeshëm ose pa të drejtë pengon apo vonon procedimin normal të seancave gjyqësore, gjykata, me kërkesën e palës ose palëve pjesëmarrëse në gjykim, kryetari i trupit gjykues mund ta dënojë me gjobë deri në 50 000 lekë.
Liri për të dënuarit e përjetshëm
Kodi i ri Penal u krijon mundësi të dënuarve me burgim të përjetshëm që të lirohen me kusht. Projektligji parashikon që çdo i dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohet, nëse plotëson tre kushte kryesore. Konkretisht, ligji i ri parashikon që, një i dënuar i cili vuan një dënim me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata nëse ai ka vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe qëllimi i riedukimit të tij është arritur. “Bazuar në rekomandimit Rec (2003) 22, projektligji u krijon mundësi për të kërkuar lirimin me kusht të gjithë të burgosurit e dënuar, duke përfshirë të burgosurit e përjetshëm”, thuhet në relacionin e ligjit. Ligji i ri ndryshon pikërisht nenin 65 të Kodit aktual Penal, i cili ndalonte lirimin e të dënuarve më burgim të përjetshëm. Në paragrafin e dytë të këtij neni thuhet se vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht.
Ndryshimet në Kodin Penal, lirimi me kusht dhe me para
Neni 5
Në nenin 53/a, pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi me përmbajtjen si më poshtë vijon: “Të gjithë ato persona që janë dënuar me burgim deri në 3 vjet apo që u kanë mbetur pa vuajtur edhe 3 vjet burgim, mund të kërkojnë ta zëvendësojnë dënimin e mbetur me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur 5000 lekë për një ditë burgim. Në këtë rast, dënimi konsiderohet i shlyer.”
Neni 6
Neni 57 ndryshohet me përmbajtjen si më poshtë vijon: “Neni 57. Llogaritja e paraburgimit. Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim, gjobë ose punë në interes publik si më poshtë: Një ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burgim. Një ditë arrest shtëpie e barabartë me një ditë burgim. Një ditë paraburgim e barabartë me 3000 lekë gjobë Një ditë burgim e barabartë me 2000 lekë gjobë. Një ditë paraburgim e barabartë me 18 orë pune në interes publik.”
Neni 8
Në nenin 65/a, bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi i parë riformulohet me këtë përmbajtje: “Gjykata, në dhënien e vendimit, shprehet nëse i dënuari gëzon të drejtën e lirimit me kusht, apo jo, si dhe mund të vendosë edhe caktimin e një periudhe sigurie, gjatë së cilës nuk lejohet zbatimi i nenit 64, të këtij Kodi, në rastet kur ekziston një nga këto rrethana:”
b) Paragrafi i fundit riformulohet me këtë përmbajtje: “Periudha e sigurisë nuk kalon tre të katërtat e dënimit me burgim, ndërsa në rastin e burgimit të përjetshëm, nuk kalon 30 vjet.”
Neni 9
Në nenin 66, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Shkronjat “a)” dhe “b)”, ndryshohen me këtë përmbajtje:
“a) tridhjetë vjet në rastin e krimeve që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm dhe njëzet vjet për krimet, të cilat parashikojnë dënim me mbi dhjetë vjet burgim;
b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim deri në dhjetë vjet burgim;”
b) Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi i dytë me këtë përmbajtje: “Veprat penale të Kreut II, Seksionit I, Nenet 76 – 79/c, nuk i nënshtrohen parashkrimit”.
Neni 96/b
Dështimi për dhënien e ndihmës mjekësore. Mosdhënia e ndihmës së parë nga mjeku apo ndonjë punonjës tjetër mjekësor, në shkelje të detyrave të tyre profesionale, dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit.
Neni 96/c
Mashtrimi në trajtimin mjekësor. Kryerja e trajtimit mjekësor ose trajtimit alternativ mjekësor, nga mjeku që nuk ka kualifikimet e duhura, duke shkaktuar vonesë në marrjen e ndihmës mjekësore në kohën e duhur për pacientin, dënohet me heqje të së drejtës se ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar dëm serioz për shëndetin e personit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burg nga dy deri në tetë vjet.
Neni 13
Paragrafi i parë, i nenit 130/a, ndryshohet me përmbajtje si më poshtë vijon: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, kur kryhet për herë të parë, dënohet me burgim deri në 2 vjet. Në këtë rast, ndjekja penale bëhet mbi ankimin e të dëmtuarit dhe pushon kur ai heq dorë. Kur kjo vepër kryhet në mënyrë të përsëritur, dënohet me burgim deri në 3 vjet. Në këtë rast, ndjekja penale fillon mbi ankimin e të dëmtuarit dhe nuk pushon nëse hiqet dorë nga ankimi.”
Neni 15
Neni 283 riformulohet me këtë përmbajtje: “Neni 283. Prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Mbajtja, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i substancave narkotike, psikotrope, ose i farërave të bimëve narkotike, si dhe mbajtja në një sasi më të madhe se ajo që me ligj konsiderohet për konsum vetjak, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndëve narkotike të mësipërme, dënohet si më poshtë:
a) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është deri në 100 gram, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
b) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” si dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 100 gram deri në 1 kg, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
c) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 1 kg deri në 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
d) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë”, apo çdo lloj lënde narkotike e ndryshme nga “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime, dhe sasia është deri në 1 kg, dënimi me burgim në minimum shtohet me 1 vit dhe në maksimum me 3 vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.”
Neni 17
Neni 283/a riformulohet me këtë përmbajtje: “Neni 283/a. Trafikimi i lëndëve narkotike
a) Kur lënda është e llojit “cannabis sattiva” apo “farëra të kësaj bime” dhe sasia është deri në 10 kg, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
b) Kur lënda është e llojit “cannabis sattiva” apo “farëra të kësaj bime” dhe sasia është mbi 10 kg deri në 50 kg, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
c) Kur lënda është e llojit “cannabis sattiva” apo “farëra të kësaj bime” dhe sasia është mbi 50 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
d) Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
e) Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
f) Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë” apo “çdo lloj lënde tjetër psikotrope” dhe sasia është deri në 100 gram, dënimi të jetë nga 3-10 vjet burgim.
g) Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë” apo “çdo lloj lënde tjetër psikotrope” dhe sasia është mbi 100 gram deri në 1 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
h) Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë” apo “çdo lloj lënde tjetër psikotrope” dhe sasia është mbi 1 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
i) Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
j) Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në njëzet vjet burgim.
k) Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. ”/Shqiptarja.com/a.k