Rreth 16 mijë raste paraqiten në javë me shenjat e gripit në qendrat shëndetësore. Por mbingarkesë ka pasur edhe në shërbimet e urgjencave, si në ato pediatrike, ashtu edhe në Spitalin Infektiv.
Të dhënat janë bërë publike nga Instituti i Shëndetit Publik. Përhapja më e madhe e virusit është regjistruar kryesisht te fëmijët dhe mosha e tretë. Ministria e Shëndetësisë ka dhënë alarmin se gripi ka intensitet shumë të lartë dhe ka kaluar pragun e epidemisë. Deri tani mësohet se janë 10 persona janë në gjendje të rëndë.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik ka pohuar se këta pacientë janë shtruar në reanimacione dhe mendohet paraprakisht që gjendja e tyre të jetë e lidhur me gripin.
Megjithatë një fakt i tillë ende nuk është i konfirmuar, pasi do të jenë rezultatet e testeve ato që do të thonë fjalën e fundit. Aktualisht në vendin tonë qarkullon virusi AH3.
Qendrat urbane, si Tirana dhe Fieri, kanë edhe përhapjen më të madhe. Por duhet thënë se virusi ka intensitet të lartë në të gjithë vendin. Përhapja e tij në vendin tonë është ngritur si shqetësim edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila e ka renditur Shqipërinë në hartën e vendeve me risk të lartë.
Në të njëjtën situatë paraqitet edhe Finlanda, ku niveli i përhapjes së virusit është po ashtu i lartë. Sakaq, sipas OBSH-së, në nivel të mesëm mësohet të jenë Italia, Gjermania, Franca, Kroacia, Rusia dhe Serbia.
Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së gripit në vend, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniveristar në datat 4, 5, 6 dhe 7 janar 2017./Panorama/a.m.