2016 ishte një vit mjaft i vështirë për fermerët shqiptarë. Pavarësisht sfidave të përhershme, këtë radhë ata u përballën me një sëmundje që preku në masë gjedhin, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë familjare.
Sëmundja e gjedhit preku si fillim zonat kufitare të Dibrës dhe Kukësit për tu rikthyer më pas me dëme të konsiderueshme edhe në jug kryesisht në Lushnje, Fier dhe Elbasan.
Kjo sëmundje, e cila njihet me emrin shkencor Dermatoza Nodulare nuk prek njerëzit apo kafshët e tjera.
Infeksioni shpërndahet nëpërmjet pickimit të mizave dhe mushkonjave, nga kontakti direkt ndërmjet kafshëve të llojit gjedhë, nga ferma në fermë nga këpucët, veshjet dhe materialet e kontaminuara.
Sëmundja shpërndahet shpejt në stinën e verës kur vektorët janë më të përhapur.Disa nga shenjat klinike që kanë kafshët e infektuara janë temperaturë të lartë, anoreksi, dobësim, lëvizin me vështirësi dhe bëhen të pafuqishme.
Sëmundja e Dermatozës Nodulare ose sëmundja e gjedhit është një shqetësim në rritje edhe në Evropë, për shkak të përhapjes.
Në Izrael kjo sëmundje është konstatuar në vitin (2012), Turqi (2013), Azerbajxhan (korrik 2014), Rusi (korrik 2015), Greqi (gusht 2015), ndërsa gjatë vitit 2016 është përhapur në Ballkan.
Në datën 7 korrik 2016, ekspertët nga shërbimi veterinar kanë konstatuar raste me shenja klinike të sëmundjes të Dermatozës Nodulare në gjedhë në Shqipëri si fillim në rajonin e Dibrës, në afërsi të kufirit me Maqedoninë, e më pas u përhap në të gjithë vendin.
Në Shqipëri mbizotërojnë fermerët e vegjël të cilët mbahen falë mbarështrimit të 2-3 gjedhëve.
Të prekur nga humbja e bagëtive, ata ankohen se ndërhyrja dhe vaksinimi ka qenë i vonuar duke i shkaktuar shumë dëme serioze ekonomike.
Fermerët tregojnë se janë munduar që të kujdesen për bagëtitë e prekura në të gjitha mënyrat e mundshme, por nuk kane mundur ti shpëtojnë.
E vetmja shpresë për ta mbetet marrja e kompesimeve për dëmet e pësuar.
Me gjithatë nuk mungojnë edhe fermerët që fajësojnë shtetin për mosmarrjen e masave për të parandaluar situatën.
Qarku i Kukësit është një prej qarqeve më të prekura nga sëmundja e dermatozës.
Kryeveterineri i Drejtorisë së Bujqësissë në Qarkun e Kukësit, Osman Elezi, shprehet se ka pasur mungesë vaksinash.
Pa u vaksinuar kanë mbetur rreth 200 krerë lope, përfshi këtu edhe viçat për të cilët pritet ardhja e vaksinave.
Osman Elezi: Kemi rreth 200 krerë që na janë shmangur nga vaksinimi për arsye të mospërputhjes së kohës, vendit të vaksinimit sepse kanë qenë dhe në bjeshkë dhe në kullotat verore. Kanë qenë ca xhepa të veçuar që nuk janë përfshirë në vaksinim. Rreth 200 krerë janë gjithsej në tre rrethe. Po bëjmë një tentativë që të gjejmë një sasi doze vaksinimi që ti përfshijmë dhe këto.
Sipas Elezit duke patur parasysh ekonominë e dobët të fermerëve kuksianë, dëmi ekonomik vetëm nga kafshët e prekura është i madh, pa llogaritur këtu rënien e konsumit të mishit të gjedhit dhe qumështit dhe e mira do ishte që fermerët të dëmshpërblehen në të holla.
Osman Elezi: 170 krerë lopë nuk janë pak për ekonominë e dobët të rretheve tona. Janë rreth 230-240 milion lekë dëmtime që janë shkaktuar direkt, pa përfshirë këtu humbjet që vinë nga mosmjelja e këtyre lopëve, rënia e qumështit për pjesën tjetër që është prekur, nga mjekimet që janë tentuar të bëhen për të lehtësuar gjendjen në një pjesë tjetër, nga përceptimi i njerëzve në konsumin e këtyre produkteve të qumështit dhe mishit. Është premtuar që këto do të kompensohen me lopë krerë për krerë.
Sipas Shërbimit Veterinar të gjithë fermerët e dëmtuar nga ngordhja e gjedhëve pasi janë prekur nga sëmundja e Dermatozës Nodulare, do të dëmshpërblehen në natyrë me kafshë.
Osman Elezi: Përhapja shumë e shpejtë, e befasishme dhe e papritur në kuptimin e mosnjohjes së kësaj sëmundje që shfaqej për herë të parë këtu, përfshiu gjithë qarkun tonë. Jemi i dyti qark pas Dibrës që kemi pësuar dëmtimet më të mëdha në këtë sektor të blegtorisë. Faktor shumë vendimtar ishte vaksinimi në kohë i këtyre bagëtive për ti mbrojtur nga kjo sëmundje. Mbi bazën e vaksinimit kemi arritur të reduktojmë në maksimum humbjet. Janë dëmtuar deri tani 170 krerë lopë nga të cilat 60 e ca në Kukës, 35 në Has dhe pjesa tjetër në Tropojë.
Në Qarkun e Kukësit janë vaksinuar 29 mijë krerë lopë.
Osman Elezi: Janë vaksinuar rreth 29 mijë krerë në tre rrethet e qarkut tonë.
Përtej masave që pretendon Ministria, Dermatoza u rishfaq në jug.
Librazhdi ishte ne te paret rrethe ne qarkun e Elbasanit qe dha shenjen e gjedhit te infektuar nga semundja e Dermatozës Nodulare.
Ne te gjithe rrethin u regjistruan 50 vatra infeksioni dhe u preken 400 lope nga te cilat 50 ngordhen.
Sipas veterinerit, Hysni Hoxha, punonjes ne Agjensine e Bujqesise, tashme ka filluar prej disa ditesh rivaksinimi i gjedhit te semure.
Sakaq Agjensia e Bujqesise ka bërë kerkese per 3000 doza shtese vaksinimi pasi ka ende nevoje.
Hysni Hoxha: Në rrethin e Librazhdit sëmundja e Dermatozës Nodulare ka qenë mjaft intensive, mbi 50 vatra. Është bërë vaksinimi në pjesën më të madhe të vatrave dhe vazhdon intensivisht dhe këtë muajt për tu mbyllur në gjithë rrethin. Kemi identifikuar mbi 400 krerë gjedhë të prekura dhe kanë ngordhur rreth 50 që janë groposur sipas procedurave ligjore. Vazhdon vaksinimi.
Ndërsa ne Gramsh situata nga Dermatoza preku 250 krerë lopë, nga te cilat 30 ngordhën.
Përgjegjësi i Agjensise se Bujqesise, Yzeir Miraka, bën te ditur se është duke vijuar vaksinimi i gjedhit dhe se rreth 80% ka kaluar rreziku.
Yzeir Miraka: Kemi pasur mbi 250 krerë të infektuar por edhe trajtimet që janë bërë me medikamente për eleminimin e shenjave të sëmundjes, se mjekim specifik për këtë sëmundje nuk ka, sëmundja është eleminuar, është kryer vaksina në të gjithë gjedhin. E kemi situatën nën kontroll në të gjitha fshatrat, nuk kemi asnjë problem tani me sëmundjen e Dermatozës.
Përtej këtyre deklaratave, Ministria e Bujqësisë shprehet se ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe pas konstatimit të rasteve të para, ndërhyri duke nisur vaksinimin.
Edi Ferro: Si skuadër e vërtetë ne bashkëpunuam dhe i kërkum Brukselit një sasi dozësh, na u ofruan 25 mijë dozë nga Banka e Emergjencës së BE. U shpërnda kjo vaksinë në fermat mbi 20 krerë të cilat u imunizuan sepse këto ferma mbajnë barrën kryesore për furnizimin e konsumatorit shqiptar me qumësht dhe më pas përmes një fondi të qeverisë shqiptare u krye procedura për blerjen e një sasie prej 440 mijë dozësh e mbuluar ekonomikisht nga shteti shqiptar. Aktualisht jemi në një fazë pothuajse përfundimtare të vaksinimit.
Gjithashtu u ndërmor një masë ekstreme dhe u vendos një moratorium për shitjen e kafshëve dhe mishit të tyre.
Edi Ferro: Ndalimin e lëvizjes së kafshëve nga ferma në fermë, nga ferma në thertore dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla. Shaktimi i ngordhjes së kafshëve vjen nga temperatura e lartë që shkon në 42 gradë. Faza e dytë ishte që të gjitha kafshët e paprekura iu nënshtruan vaksinimit dhe faza e tretë ishte kryerja e procedurës së groposjes dhe mbajtja e çdo dosje në mënyrë ekzakte dhe fotografimit të çdo kafshe për kompensimin e tyre.
Vaksinimi pritet të vijojë edhe vitin tjetër për të parandaluar rikthimin e sëmundjes.
Edi Ferro: Kryhen dy procese, vaksinimi dhe matrikulimi dhe regjistrimi i të gjitha këtyre kafshëve. Jemi duke përfunduar procesin e vaksinimit. Po përgatitemi për të rifilluar procesin e vaksinimit pasi kryhet çdo vit. Sëmundja do të jetë disa vite në Shqipëri, nuk është një proces i lehtë. Arritëm të marrim 260 mijë dozë vaksine nga Brukseli.
Sëmundja e gjedhit ka shkaktuar ngordhjen e 1 mijë krerëve të gjedhëve për të cilat është premtuar se do të kompesohen me bagëti të tjera dhe jo me para në dorë.
Edi Ferro: Kemi të bëjmë përfundimisht me një sasi prej 1000 krerësh të dëmtuara. Dokumentacioni është gati, do fillojë procesi i kompensimit me kafshë të gjalla. Do evidentohen të gjitha racat për qarqe të caktuara. Do të sillen raca më të mira se ato që kanë pasur.
Dëmi financiar llogaritet 1.3 milion euro, por në krahasim me rajonin përsëri mbetet në një nivel më të ulët.
Edi Ferro: Nëse do rrumbullakosnim 1000 krerë në gjithë Shqipërinë me një kosto prej 1000 eurosh kemi të bëjmë me rreth 1.3 milion euro. Krahasur me Maqedoninë që ka humbur 3000 krerë, Kosovën që ka gjysmën e numrit tonë, sëmundja në Shqipëri është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pas prekjes së zonave veriore gjatë muajit tetor, sëmundja zbriti në jug për shkak të ndryshimit të temperaturave.
Edi Ferro: Është tipike e veçorisë së sëmundjes, duke pasur parasysh që trasmetimi ndodh përmes insekteve kishte dy mundësi që sëmudja të zbriste në zonat fushore: Ulja e temperaturave në zonat malore dhe zbritja e kafshëve drejt kullotave verore në ato dimërore. Pjesa dërmuese e kafshëve dimërojnë në zonat e Myzeqesë, qofshin këto të Fierit apo Lushnjes. Ishim të përgatitur për tu përballur me zbritjen e sëmundjes në grykën e Shkumbinit.
Kryeveterineri, Edi Ferro, shpjegon se pavarësisht fjalëve të hapura nuk ka pasur asnjë rast abuzimi me kafshët e prekura nga kjo sëmundje.
Edi Ferro: Thashetheme ordinere do të thosha, sipas të cilave lopë të prekura me dermatozë nodulare mund të kenë shkuar drejt sallamerive. Nuk ka sesi një fermer që do kompensohet në një vlerë 1500 euro ose 1.5 milion lekë të çojë një kafshë në sallameri që mund të kapë një shifër 70 mijë lekë të vjetra.
Përhapja e kësaj sëmundje shkaktoi panik tek qytetarët, të cilët filluan të shmangnin blerjen e mishit të lopës apo viçave.
Drejtori i Bujqësisë Lezhë, Ndoc Lleshi, bën me dije se dëmet më shumta nga sëmundja e gjedhit në Lezhë kanë qenë në Njesinë Administrative të Shënkollit, zonë kjo që ka patur edhe kafshë të ngordhura.
Drejtoria e Bujqësisë ka bërë të ditur se të gjithë fermeret që kanë pësuar dëme do të dëmshperblehen menjëherë.
Ndërkohë që mësohet se ka nisur proçesi i vaksinimi për sëmundjen e gjedhit.
Lleshi ka ftuar të gjithë fermerët që të bashkëpunojnë me veterinerët për vaksiminin e gjedheve.
E megjithatë bujqësia shqiptare dhe fermerët pritet të përballen me një tjetër sfidë, sëmundjen e shpendëve.
Kjo sëmundje ka mbërritur në rajon, por ende nuk janë konstatuar raste konkrete në Shqipëri.
Numri i gjedhëve në vitin 2015 ka shënuar një rritje vjetore me 0.9 %. Ndaj totalit të tufës së gjedhit dominojnë lopët e qumështit me 71 %.
Rajonet ku është më i përqëndruar mbarështrimi i gjedhit janë: Fieri me 14 %, Elbasani me 13 %, Tirana dhe Shkodra me 10 % ndaj numrit total të krerëve në të gjithë vendin./oranews/a.k