Violinisti i shquar shqiptar me famë botërore Shkëlzen Doli ka ardhur sot në Tiranë për të performuar me Ansamblin Filarmonik të Vjenës.
Një ditë pas koncertit tradicional në Vjenë, që mbahet më 1 janar të çdo viti, bashkë me të në Tiranë kanë mbërritur dhe 36 artistë për tu bërë pjesë e këtij koncerti madhështor, i cili po transmetohet mbrëmjen e sotme në TVSH.
Doli ka dhënë koncert në Tirane edhe më 4 qershor të vitit 2016, ku ka interpretuar muzike popullore në violinën e tij.
Biletat e këtij koncerti janë shitur që në fillim të dhjetorit, pavarësisht çmimeve që varionin nga 3 mije lekë 5 mijë e 8 mijë lekë.
Në një postim në facebook të pak ditëve më parë Shkëlzen Doli shkruan:
“Të nderuar miq dhe artdashës !
Dëshiroj të ndaj me Ju kënaqësine dhe emocionin e veçante qe kam para kesaj performance kaq te jashtezakonshme!
Me 2 janar, ne Tiranen tone te bukur, do te mberrijne nga Vjena 36 artiste te shquar qe do te shfaqin për herë të parë në Shqiperi, në menyrë kaq autoktone, perlat e artit Austriak per t’Ju uruar, sëbashku me mua, të gjithë shqiptarëve, live nga Tirana: një vit të mbarë dhe sa më shumë harmoni!
Juaji Shkëlzeni”
Shkëlzen Doli ka mahnitur publikun vjenez më 1 janar 2015 me interpretimin e muzikës shqiptare me orkestrën e Filarmonisë së Vjenës.
Ndërkohë, në koncertin e sotëm që mbahet në Pallatin e Kongreseve para mijëra të pranishmëve, janë luajtur pjesë nga dinastia Shtraus dhe kompozitorë të tjerë austriakë dhe hungarezë.