Presidenti amerikan, Barack Obama do të mbajë fjalimin e lamtumirës javën e ardhshme nga Çikago, bastioni i tij politik, ku ai festoi tetë vite më parë, para një turme që brohoriste, zgjedhjen e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Të martën më 10 janar, do të kthehem në shtëpinë time në Çikago për t’iu dhënë lamtumirën dhe për t’iu shprehur mirënjohjen time”, theksoi Obama në një fjalim të shkurtër publikuar sot duke kujtuar se kjo traditë daton që prej kohës së George Washington.
Duke nënvizuar se ka filluar të shkruajë fjalimin e tij, presidenti amerikan, i pritur sot në Uashington pas dy javëve pushime me familjen në Havai, nënvizoi se synonte t’i rikthehehej tetë viteve të fundit, por gjithashtu të shikonte edhe drejt të ardhmes.
“E shikoj këtë si një mundësi për t’iu falenderuar për këtë aventurë të jashtëzakonshme, të festoj për mënyrën se si ju e ndryshuat këtë vend për mirë gjatë tetë viteve të fundit dhe të jap disa mendime për të ardhmen tonë” , theksoi ai.
Presidenti demokrat, 55 vjeç, do t’i kalojë pushtetin më 20 janar republikanit, Donald Trump, 70 vjeç.
“Ka qenë privilegji i jetës time të isha presidenti juaj. Do jem përkrah jush si qytetar”, theksoi ai në një mesazh në rrjetin social Twitter.
“Ndryshimi ndodhi në Amerikë”, theksonte presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së, mbrëmjen e fitores, më 5 nëntor 2008.
“Nëse ndonjë dyshon ende se Amerikan është një vend ku gjithçka është e mundur (…) përgjigja iu dha sot në mbrëmje”, ishte shprehur ai para dhjetëra mijëra personave të mbledhur në Grant Park, parku më i madh publik që ndodhet mes liqenit të Miçiganit dhe një seri grataçelash.