Partia Demokratike ka hedhur pikat e para të programit qeverisës, i dalë siç ka thënë Basha pas 3 vitesh takime intensive në çdo zonë të vendit, por ende nuk ka ndarë me opinionin publik ekipin me të cilin do të kërkojë votën e shqiptarëve. Skuadra drejtuese në këto 3 vjet ka ndryshuar herë pas here, dikush ka rënë një tjetër është ngritur dhe Lulzim Basha ende nuk ka përcaktuar fytyrën e ekipit të tij me të cilët synon pushtetin. Sugjerimi i Besnik Mustafaj për kreun e Partisë Demokratike është t’i tregojë kufirin Berishës.
Mustafaj: “Berisha ka deklaruar se nuk ndërhyn, por njëkohësisht mendoj se Basha duke mos qenë pjesë e lidershipit të historisë së PD qysh në fillim, dhe personalitetin e fortë, Basha ka kompleksin e historisë siç e kanë krejt te rinjtë. Por më shumë se kompleks ka qenë ndikim i një marrëdhënie dhe respekti të ekzagjeruar nga ana e Bashës. Unë Bashës i kam sygjeruar që duhet t’i tregojë kufirin Berishës. Unë nuk besoj se njerëzit duhet të largohen vetë nga politika. Kur e kanë kryer ciklin e tyre, duhet t’i tregohet vendi me votë dhe nga lidershipi i ri. Fakt është se Berisha ka bërë opozitë të fortë, ka qenë kompensim i madh për cilesinë e grupit parlamentar. Ka pas një ndikim në disa momente kyçe, le të kujtojmë këtu denoncime të mëdha që ka bërë dhe forca goditëse i ka shërbyer rolit që ka opozita. Nuk jam në gjendje t’i them Bashës nëqoftëse duhet të jetë Berisha në listat e reja. Nëqoftëse nuk do jetë me kë do ta zëvendësojë, nëqoftëse do të jetë si do mbahet nën kontroll. Janë gjëra qe duhet t’i zgjedh kryetari”.
Besnik Mustafaj pohon per “Ora” se Basha është distancuar shpesh nga keqeverisja me akte të vlerësuara dhe mirëptitura nga publiku.Por ai e këshillon Bashën të mos shpenzojë shumë kohë me kërkim ndjese.
Mustafaj: “Basha është distancuar në shumë raste nga keqqeverisja. E ndjen se trashëgimia duhet gjykuar politikisht për t’i shërbyer të ardhmes. Në këtë kuptim Basha ka bërë gjeste të mirëpritura nga opinioni publik. Por kjo nuk duhet t’i marrë kohë. Mea culpa, ai tani është në periudhen e shfaqjes se alternativave për të krijuar besim te shqiptarët”.
Për besnikët e lidershipit të zgjedhur nga Basha, Besnik Mustafaj mendon se meritojnë një reflektim.
Mustafaj: “Nuk bëj biografinë. Por nëqoftëse sondazhet japin ende rezultate të dobëta për kupolën, pergjegjësi ka dhe ky lidership i zgjedhur nga Basha bashkë me Bashën. Do të thotë që zgjedhjet nuk kanë qenë të duhura, ky fakt duhet ta shtyjë për reflektim të fortë”.
ma.me