Kalaja e Libohovës, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena ndërmjet viteve 1796-1798, është një fortesë monument i kategorisë së parë, i braktisur prej vitesh pa vëmendje dhe pas asnjë ndërhyrje restauruese.
Motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanishaja u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova, ndërsa kalaja ishte paja e Aliut për të motrën.
Vet sundimtarja e Libohovës, Shanishaja prehet në varrezat në Jug të kalasë. Varri i saj monumental, pjesë e varrezës së familjes Libohova, gjithashtu objekt i trashëgimisë kulturore, gjendet në situatë mjerimi dhe jashtë çdo guide promocionale.
“Natyrisht që edhe monumentet e kulturës për të cilat po flasim janë në gjendje jo të mirë. Në gjendje më të keqe është kalaja e Libohovës, janë varret pagane, që kërkojnë ndërhyrje urgjente si dhe fonde të veçanta, sepse nuk përballohen dot me fondet e bashkisë”, tha Besnik Ismailati, specialist i Bashkisë Libohovë.
Bashkia e Libohovës ka të paktën 26 monumente kulture në gjendje kritike. Në listën prioritare mund të flitet për kishën e Labovës së Kryqit, një ndër momumentet më të rëndësishme të artit mesjetar në Shqipëri, urën e Zonjës, kishën e Hoshtevës, urat e Ali Pashës mbi lumin e Zagories, manastrinin e Nivanit, kalanë e Melanit, sarajet e bejlerëve,sarkofagët antikë në shkëmb dhe shumë monumente natyre e kulture të pashfrytëzuara, ose të vizituara në mënyrë sporadike.
Sinjalistika që çon drejt monumenteve të kulturës nuk ekziston, ndërsa përveç Kishës së Labovës, për të cilën është vendosur një biletë simbolike hyrjeje, asnjë prej objekteve të vizitueshme nuk gjeneron të ardhura./tch/a.k