Skënderbeu po kërkon një trajner të ri. Dhe pse zyrtarisht Agostinelli vazhdon të jetë ende në krye të detyrës, klubi korçar duket se ka vendosur që të mos vazhdojë më bashkëpunimin me italianin, i cili aktualisht gjendet në vendin e tij për festat e fundvitit. Në këto kushte, klubi korcar ka vendosur që të vihet në kërkim të një emri të ri për stolin dhe emrat e përfolur për momentin janë disa, madje të gjithë prestigjoz në botën e futbollit shqiptar e jo vetëm. Një emër që përflitet si pasues i mundëshëm i Agostinellit, nëse ky i fundit largohet, është ai i ish-trajnerit të Shkëndijës, Adrian Kozniku, i cili mund të jetë i interesuar për t’u ulur në stolin e korçarëve duke qenë se aktualisht nuk është në krye të një skuadre. Gjithashtu është përfolur dhe emri i Besnik Hasit, që është shumë i njohur nga të gjithë duke qenë se ka drejtuar në skuadra të mëdha si Anderlecht dhe Legia Varshavë, ndërsa më parë ka qenë kandidat dhe për stolin e kombëtares së Shqipërisë. Hasi aktualisht përflitet dhe për të marrë drejtimin e Genk në Belgjikë. Ndërsa emri i fundit i përket një trajneri të njohur në Kategorinë Superiore, si Ilir Daja, i cili që pas largimit nga Tirana është aktualisht pa një detyrë dhe mund të pranonte drejtimin e kampionëve në fuqi.
Merveille i pashitshëm
KF Tirana nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të saj në Facebook ka informuar tifozët bardheblu për punën intensive që klubi po bën për pjesën e dytë të sezonit. Sipas tyre klubi po punon në merkato për të afruar në skuadër elemente cilësorë, të përzgjedhur nga stafi teknik dhe me cilësitë e nevojshme për objektivat sezonal. KF Tirana konfirmon lajmin për ofertat e mbërritura për Merveil Ndockyt, oferta të cilat kanë vlerë më të madhe nga sa është publikuar në media, por klubi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e këtij futbollisti me shumë cilësi. Më herët traineri Josa është shprehur se do të ketë fillishmisht dalje në merkato e pastaj hyrje. “Klubi po punon për të krijuar mundësitë e një periudhe përgatitore model dhe përgatitjen si duhet të pjesës së dytë të sezonit. Në kanalet zyrtare të klubit do të publikohet në mënyrë sistematike informacion i saktë për tifozët dhe opinionin sportiv”.- shkruhej në faqen zyrtare të KF Tiranës në Facebook. Tifozët bardheblu janë shprehur të pakënaqur nga ecuria e ekipit në komente, ku sigurisht presin shumë më shumë nga 24 herë kampionët e Shqipërisë.