Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka debatuar edhe sot për kërkesën e prokurorisë për heqje të mandateve të dy deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.
Asnjë prej të tre zyrtarëve nuk ka qënë i pranishëm në mbledhje, por janë përfaqësuar me avokatët përkatës. Në mbledhjen e të martës KQZ i kërkoi prokurorisë së përgjithshme informacione më të detajuara për tre funksionarët politikë.
Sipas kreut të komisionit, Denar Biba, prokuroria ka dërguar materialin me saktësime siç i është kërkuar për të vijuar mbledhjen, por avokati i Dashamir Tahirit, Fatmir Braka ka kundërshtuar duke thënë se prokuroria ka dërguar të njëjtin material.
“Materiali nuk është i ri. Pak kanë ndryshuar, janë thjesht disa saktësime siç i kërkuam. Komisioni ishte në dilemë nëse do ishim në pozitën e noterit apo gjykatë. Ne donim një proces të rregullt ligjor”, u shpreh kreu i KQZ, Denar Biba.
“Prokurori ka dërguar të njëjtin material dhe sërish është gabim, ka ngatërruar datën e klientit tim. Në 2009 është dënuar në Ravena por këtu flitet për një vendim gjyqësor. Prokuroria se ka. Si ka hyrë kësaj gjëje.
Informacioni është marrë në mënyrë narrative nga Europol, jo nga drejtësia. Informacioni është i gabuar. Ne jua vumë në dispozicion vendimin”, ka thënë avokati Braka.
KQZ i kërkoi dje Prokurorisë informacione më të detajuara për tre funksionarët politikë.
Tema/d.i.