Dekriminalizimi është “ushqyer” me 3 “viktimat” e saj të para. KQZ ka vendosur t’i ndërpresë mandatet dy deputetëve Selami e Tahiri si dhe kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi.
KQZ ka vendosur unanimisht pas diskutimeve me dyer të mbyllura, që mandatet e Shkëlqim Selamit e Elvis Roshit të ndërpriteshin, ndërsa ndryshe ka ndodhur me mandatin e Dashamir Tahirit, ku anëtarët e PD kanë votuar kundër heqjes së mandatit të tij. Pavarësisht kësaj mandati i Tahiri është hequr me shumicë votash.
Pas vendimit, do të jenë respektivisht Kryeministri Rama për Elvis Roshin dhe kryeparlamentari Meta për deputetët, ata të cilët do duhet të nënshkruajnë këtë vendim.
Pak më herët në KQZ ka patur mjaft debate për një “risi” që tashmë inkorporon KQZ në gjirin e saj institucional, një pjesë e ligjit të dekriminalizimit, që sipas vetë kreut të KQZ-së Denar Biba ka mjaft aspekte negative. Përpara vendimit, Biba la të nënkuptohej se do të votohej pro heqjes së mandateve, por ka deklaruar se KQZ s’mund të bëhet gjykatë dhe nuk i ka kapacitet për të marrë rolin e prokurorisë.
“Në këtë detyrë KQZ nuk i ka kapacitetet, është prokuroria që merr përgjegjësinë e gjetjeve që i ofron KQZ. Do të doja që prokuroria ta kishte bërë më saktë verifikimin. A mund të bëjmë ne më katolikun sesa Papa dhe të themi që gjetjet janë të papranueshme. Unë nuk mund t’i vë në dyshim gjetjet në thelb të prokurorisë nuk i kam kapacitet për fat të mirë nuk mbajmë përgjegësi. Përgjegjësia i takon prokurorisë. Të tre subjeketet janë të parashikuara nga ligji për dekriminalizimin dhe do nënkuptojë dhe pasojat përkatëse“.
Të tre këto figura politike, dy deputetët dhe kryebashkiaku Roshi janë gjetur në shkelje ligjore sipas ligjit të dekriminalizimit. Prokuroria e Përgjithshme ka hetuar këta tre politikanë dhe i dërgoi dosjet në KQZ këtë javë, me argumentin se kanë fshehur shkeljet ligjore dhe krimet e tyre.
DEBATI NË KQZ
Denar Biba: U vume në dijeni nga Prokuroria e Përgjithshme me informacionin shtesë që kërkuam ne për dy deputetët dhe kryetarin e Bashkisë Kavajë. Nuk është materiali më i mirë i mundshëm, por përgjigja ka ardhur
Avokati i Dashamir Tahirit, Fatmir Braka: Është një info i ri çka do të thotë se ka gjykim të ri.
Denar Biba: Nuk kemi material të ri, pak ka ndryshuar, janë bërë saktësime. Prokuroria i qëndron atyre që kishte parashtruar në fillim për 3 subjektet
Avokati i Tahirit: Prokuroria ka thelluar gabimin e saj. Informacioni është i pasaktë dhe i paplotë.
Avokati i Elvis Rroshit, Theodhori Sollaku: Për Elvis Rroshin nuk ka asnjë datë të një vendimi gjykate. Eshtë momenti të reflektoni me vendimarrjen pasi nuk ka vendim gjyqësor pas asnjë datë. Ne u kemi paraqitur dëshmine e penalitetit nga pala italiane
Avokati i Shkëlqim Selamit, Genci Çifligu: Kemi vendimet e organeve të drejtësisë
Klement Zguri: Nëse nuk ka moral dhe një marrëveshje do ikin disa dhe vijnë të tjerët. Hipokrizi e politikës, pasi kush i ndalon udhëheqësit të vënë në poste të inkriminuarit. Klasa politike i mbështet të inkriminuarit vetë. Për rastet konkrete do shprehem me vendimarrje
Denar Biba: E gatuajne vetë ata të politikës e na kërkojnë ne ta lajmë këtu. Shpresojmë që rast pas rasti të filtrohen elemente të tillë nga institucionet qendrore të mos ketë me persona të tille.
Gezim Veleshnja: Duhet të jemi zbatues rigoroz të ligjit. Propozoj që debatin për vendimarrje ta bëjmë jashtë kësaj sallë.
Osmanaj: Për Shkëlqim Selamin, prokuroria e ka përcaktuar tamam fushën e veprimit. Aktualisht ato për 10 vjet e ka të ndalur të jetë funksionar. Për Dashamir Tahirin përsëri nga gjetjet e Prokurorisë është në fushën e ndalimit që parashikohet në ligj./java/a.k