Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se çështja e këndit të lodrave te liqeni është në OKB, ashtu sikurse ka deklaruar Presidenti Bujar Nishani.
Veliaj tha në studion e “Tonight Ilva Tare” se kishte një dokument të tillë, për të cilin kreu i Shtetit i kishte kërkuar OKB-së që ta mbante sekret.
Tare: Nishani ka qenë në këtë studion dhe ka bërë me dije se çështja e parkut të lojërave ndodhet në OKB. A keni dijeni?
Veliaj: Kam dijeni nga OKB, e cila, momentalisht, fatkeqësisht për Presidentin, është shumë e zënë me çështjen në Siri, nuk ka pasur kohë për këndin e lodrave. Përgjigja që kam pasur nga OKB ka qenë që është jo serioze që Presidenti të kërkojë që dokumenti të mbetet konfidencial.
Pra, Presidenti i ka kërkuar OKB-së që ta mbajë konfidenciale, ndërkohë që OKB ka thënë se ne jemi institucion transparent dhe patjetër do ta vëmë në dijeni Bashkinë e Tiranës për këtë. Jemi vënë në dijeni dhe përgjigja ka qenë “vetëm kur të jenë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit të pretendimeve të Presidentit në gjykatat shqiptare, vetëm atëherë mund të shikojmë nëse nuk është ofruar drejtësi në Shqipëri”. Ishte një mënyrë për t’i thënë Presidentit: je kryetar i sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe vjen e qan në OKB.
OKB ka pasur shqetësime të tjera përveç lojërave. I qëndroj idesë që këndi i lojërave është një nga gjërat më të mira që kam bërë. Për fatin e tij të keq, ky President do të ketë zero vend në histori. Do mbahet mend si një prishës i këndit të lojërave. Në morinë e probleme që ka Shqipëria, mund të ishte marrë me gjakmarrjen, me të varfërit.
Tare: Çfarë i sugjeroni Presidentit?
Veliaj: Jam taksapagues i këtij vendi. Ka kaq shumë hapësira për të qenë burrë shteti.
d.i.