Hashim Thaçi ka udhëtuar drejt Turqisë, ku do të pritet nga homologu i tij, Rexhep Taip Erdogan, në vizitën e tij të parë si president i shtetit në një shtet me peshë në politikën botërore.
Në mesin e temave që dy presidentët do t’i diskutojnë, siç mëson GazetaMetro.net, më e ndjeshmja dhe kryesorja do të jetë ajo për mbylljen e shkollave të Fetullah Gylenit që veprojnë në Kosovë. Agjenda e takimit të Thaçit me Erdoganin sipas të njëjtave burimeve do të përmbajë gjashtë pika kryesore:
- Mbylljen e shkollave të Fetullah Gylen,
- Procesi i njohjes së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara,
- Proceset në mes të KOSOVËS, UNESCO’s, NATO’s dhe Bashkimit Evropian,
- Tregtia e Jashtme Turqi-Kosovë, marrëveshja e tregtisë së lirë e nënshkruar më parë mes dy vendeve dhe heqja e taksave të dyfishta,
- Kush do të jetë ambasodori i ri i Kosovës në Turqis, dhe
- Ndërtimi i xhamisë së re në kryeqytet, për të cilën është ndarë lokacioni në afërsi të objektit qendror të Telekomit të Kosovës.
Fetullah Gylen një kundërshtar politik i Erdoganit që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe i cilësuar si terrorist, shkaku i pretendimit të pushtetit turk se ai ka organizuar puçin e fundit ushtarak, ka një rrjet të shkollave nëpër botë. Në mesin e këtyre shkollave, pesë sosh veprojnë edhe në Kosovë.
Erdogan, një mik i Thaçit, sipas burimit të gazetametro.net, do të kërkojë nga ai mbylljen e këtyre pesë shkollave të Gylenit, të cilin Turqia e cilëson si terrorist, dhe është duke kërkuar transferimin e tij nga SHBA-ja ku ai ka emigruar, përgatiti “gazetametro.net”. (b.an)