Nga Thanas Mustaqi
Partia e bimës kundër impotencës, e përfshirë në Librin e Kuq, po transportohej në adresën e kompanisë siberiane të Altajit “Evalar” sha. Gjatë kontrollit karantinor fitosanitar në pikën e kalimit për në kufirin shtetëror të Federatës Ruse në magazinën doganore të aeroportit ndërkombëtar të Novosibirsk-ut “Tolmaçiovo” u zbulua një parti frutash të thata e bimës medicinale dhe eterovajore të marenës ose konopicës (latinisht: Vitex Agnus Castus L. Fam Verbenaceae), me origjinë nga Shqipëria, nëpërmjet Gjermanisë, njoftoi zyra e shtypit e shërbimit federal të mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitar të Rusisë.
Kompania më e madhe farmaceutike ruse “Evalar” sha, me lidhje të fuqishme me politikën në Moskë, u përpoq të dërgojë në Siberi një kuintal bime shqiptare kundër impotencës.
Inspektorët e mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitar në rajonin e Novosibirsk-ut identifikuan më 26 dhjetor 2016 një parti 92-kilogramësh frutash të thata marene me orgjinë nga Shqipëria. Në shtator të këtij viti, një parti e po këtyre frutave u bllokuan në aeroportin e Novosibirsk-ut. Në të dy rastet, bima medicinale ishte porositur nga kompania më e madhe farmaceutike ruse “Evalar”.
Për arsye se importimi i përkohshëm i produkteve nën karantinë me rrezik të lartë fitosanitar nga Republika e Shqipërisë dhe me origjinë nga Republika e Shqipërisë në Rusi është i ndaluar, partia me marenë shqiptare nuk u lejua të kalonte në aeroportin ndërkombëtar “Tolmaçiovo”. Marena në Rusi përfshihet në Librin e Kuq si një specie e rrezikuar. Në Rusi, konsiderohet shumë e rrallë, ndërkohë që është i ndaluar importi nga vendet evropiane.
Marena është një shkurre që rritet kryesisht në ultësirën perëndimore të vendit, në toka të lagështa, me gjethe të holla, të tulta e përherë të gjelbra, me lule në ngjyrë të vjollcës në të bardhë që i varen si vile dhe me dru të rëndë që përdoret për zjarr; sinonime: marenëkuqe, konopicë.
Në mjekësi frutat, farat dhe gjethet e bimës përdoren për mjekimin e malaries, sëmundjeve kronike të mëlçisë dhe shpretkës, impotencës, sëmundjeve të grave, në parandalimin dhe trajtimin e simptomave që lidhen me sindromën pre-mestruale, si depresion, irritim, ankth, mastalgji, lodhje e dhimbje koke . Frutat dhe gjethet bëjnë pjesë në drogat aromatike-mjekësore me rëndësi ekonomike për Shqipërinë, pasi eksportohen në sasi të konsiderueshme në vende të ndryshme të Evropës.