Kompanitë e mëdha apo institucionet financiare duket se po tregohen më të kursyera këtë vit në dërgimin e dhuratave apo kartolinave përmes postës.
Shportat thuajse janë sporadike dhe dhuratat janë limituar në axhenda, kalendarë etj., duke u bërë thjesht simbolike. Operatorët e shërbimeve postare pohojnë se në përgjithësi ka një tendencë në rënie nga viti i kaluar për dhuratat që dërgohen brenda vendit.
Sipas drejtuesve të United Transport (UPS) është vënë re një tkurrje nga ana e kompanive apo institucioneve private për sa i takon dërgimit të dhuratave. Më e fortë kjo tendencë është te kartolinat, ku ato prej letre, në më të shumtën e rasteve, janë zëvendësuar me ato elektronike.
“Në këtë fund viti, thonë drejtuesit e UPS-së, vihet re se ka më pak dërgesa në numër ndaj klientëve. Por, ajo qe ne kemi tentuar dhe që ka qenë qëllimi ynë është që të rrisim bazën e klientëve dhe deri diku e kemi kompensuar këtë sjellje të tregut”, thonë drejtuesit e kësaj shoqërie.
Ata sjellin në vëmendje edhe një tendencë tipike shqiptare nga e cila nuk do të arrijmë dot që të shpëtojmë, siç është ai i dërgimit në momentet të fundit, ndaj pritet që fluksi më i madh të jetë në datat 30 e 31.
Por, më dorështrënguar sipërmarrjet private duket se janë treguar me kartolinat, të cilat edhe pse nuk kushtojnë, kanë rënë ndjeshëm si numër dërgesash. Ato janë zëvendësuar në pjesën më të madhe me kompozimet elektronike.
Për drejtuesit e Postës Shqiptare, tendenca e këtij viti është disi më pozitive, nisur kjo edhe nga fakti se institucionet shtetërore që dërgojnë dhurata dhe kartolina në destinacione të ndryshme zgjedhin ta bëjnë përmes këtij institucioni. Edhe sipas drejtuesve të kësaj poste, fluksi më i madh pritet gjatë datave 30-31 dhjetor. Njëfarë tendencë për dërgimin e dhuratave do të vihet re edhe gjatë javës së parë të janarit, por ndjeshëm më e ulët.
Monitor/d.i.