Plani i ri vendor i Tiranës do të ketë më pak beton dhe më shumë gjelbërim, është shprehur në një status në rrjetet sociale kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përtej ndasive politike, shkruan Veliaj, këshilltarë të majtë e të djathtë dhe aktivistë të shoqërisë civile u bënë bashkë në dëgjesën për prezantimin e planit, “TR030”.
“Edhe dy ditë nga Plani i Ri i Tiranës, Kushtetutë e qytetit për më pak beton, më shumë gjelbërim e që përfshin 24 njësitë tani në metropol”, shkruan Veliaj.
Plani parashikon një Tiranë shumë herë më të gjelbër dhe më të pastër dhe kjo falë edhe idesë për krijimin e pyllit orbital, ku janë parashikuar që në 15 vitet e ardhshme të mbillen afro 2 milionë pemë. Në Planin e ri të Përgjithshëm Vendor parashikohet që të ndërtohet infrastruktura e duhur arsimore dhe sociale e cila do t’i përgjigjet zhvillimit që merr qyteti në vazhdimësi. Për këtë janë parashikuar që të ndërtohen minimum 20 shkolla të reja që do të zgjidhin dhe çështjen e mësimit me dy turne.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij dokumenti është edhe krijimi një Tirane policentrike me 5 qendra. Rëndësi i jep Plani edhe ndërtimit të unazave të reja të qytetit, dy prej të cilave do të jenë të dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat.
ma.me