Viti 2016 ishte një vit i jashtëzakonshëm. Kështu në fakt thotë cdokush pasi sigurisht ka së paku një ngjarje të mirë dhe një të keqe me të cilat secili prej nesh identifikon fundin e vitit qe lemë pas. Por sigurisht ky vit na la me gojëhapur dhe u mbyll siç filloi: me ikjen e të mëdhenjve. David Bowie, më pas Prince dhe tani George Michael: bota pa dyshim është më e shëmtuar pa ta. Këtë vit iku dhe Muhammed Ali dhe veç faktit që nuk do të na bëjë më të ndjejmë keqardhje për sëmundjen e tij, shembulli i luftëtarit të pamposhtur para së keqes, para sfidës më të fortë, që tani do të mungojë, e bën këtë botë të duket më e fishkur dhe më e dobët. Zakonisht vitet olimpike mbahen mend edhe për Lojërat Verore. Por ndërsa ne kemi një motiv më shumë për shkak të Majlinda Kelmendit dhe medaljes së saj të artë për ta mbajtur mend, rusët për shembull do ta kujtojnë si vitin e tyre më të turpshëm olimpik, pas skandalit të doppingut që la jashtë lojërave më shumë se gjysmën e skuadrës olimpike.
Por veç lojërave olimpike, Rusët e patën të tyrin këtë vit dhe gjerësisht po pranohet se jo vetëm Putin ishte njeriu i 2016, porse ai së paku ndikoi në një prej ngjarjeve më sensacionale të 12 muajve: fitoren e Donald Trump.
Shumë bien dakort se ky ishte viti i nju jorkezit më të njohur të të gjitha kohërave, por e rëndësishme është se 2016 nuk mbajti as emrin e Clinton, Obama apo Angela Merkel. Në fakt ky ishte viti i fillimit të fundit të botës siç e njohim. Ishte ndoshta fillimi i fundit të historisë së re të Globit: që filloi në 11 shtator 2011, dhe vazhdoi këtë vit, me fitoren e Brexit, grushtin e dështuar të shtetit në Turqi dhe në fund me Donald Trump. Ndërmjet këtyre pati edhe ngjarje të tjera. Një lufte kriminale në Siri, ku kanë humbur jetën gati 15 perqind e popullatës, një mish-mash i turpshëm ndërkombëtar ku pjesa e triumfit gjeopolitik i mbetet Rusisë dhe e dështimit, tek Zyra Ovale e Barack Obama. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit pro Palestinës që Uashingtoni e la të kalojë duke ja “futur” miqve izraelitë, më shumë për t’i futur shkopinj në rrota Donaldit që po vjen, sesa shtuar lavdinë Barakut që po ikën
Dikur këto lajme për ne shqiptarët, ishin “lajme nga bota”. Por sot me shkallën e lartë të globalizimit dhe përfshirjes, kur kryeministri i vendit flet si Erdogan, sillet si Merkel dhe tallet me Donald Trump, nuk jam i sigurtë se viti që vjen do na lërë jashtë pasojave të forta të gjeopolitikës botërore.
Megjithëse ky ishte viti i Kombëtares, Reformës në Drejtësi, dhe sipas Guvernatorit të Bankës, edhe i fundit të krizës, 360 ditët e deritanishme u karakterizuan përditshmërisht nga aksionet kundër hashashit, zgjedhje të parakohshme lokale dhe fitore të merzitshme të së majtës. Në fund të vitit më shumë lajm bënë poturet e padukshme të Ledinës, vdekja e dytë e “Leninit”, Lazër Filipi dhe shuarja në të njëjtën ditë e Bujar Lakos me George Michael, sesa gjithë reagimet në Twiter të Ramës dhe qaravitjet në Facebook të opozitës.
Thënë këto, Donald Trump dhe Vladimir Putin mbeten potencialisht të vetmit që mund ta bëjnë 2017 interesant për Shqipërinë që i drejtohet përndryshe një stine të mërzitshme zgjedhore ku rezultati dihet dhe ku dilema e vetme është nëse presidenti i ardhshëm do quhet Ilir apo Mimi.
Ah po. Veç Ladit rus, i famshëm këtë vit u bë edhe Ladi shqiptar, i cili ndryshoi mendje dhe e la në fuqi ligjin e Vettingut. Mbetet kështu një farë shprese që në 2017, të fillojë të japë frytet reforma në drejtësi dhe ndonjë peshk i madh të bjerë në rrjetën e Spak. Por personalisht mendoj se shpresa e vetme për këtë, është vazhdimi i impenjimit amerikan dhe i Lu. Përndryshe më e mundshme është ndonjë luftë berthamore sesa të ndodhë një proces i madh gjyqësor në Tiranë.
Nga vitit i Ladëve mund të shkojme kështu tek vitit i Donaldëve. Të dy amerikanë dhe të dy me ndikim global dhe lokal në klimën e Shqipërisë në 2017.
Në fakt me deklaratat e fundit të Trump se “bota tani do kuptojë forcën bërthamore të Amerikës”, ky opsion duket trishtueshem real. Ndaj 2016 ishte vecse perdja që ngrihet për një të panjohur më të madhe dhe një botë më në ankth sesa viti që po lëmë pas. Ankth i një bote ku shumë gjëra kanë shkuar gabim, nga modeli perëndimor i jetesës, tek degjenerimi i demokracisë dhe rritja e diktaturave të reja autoritariste. Dhe sërish për këtë shembull është Rusia. Aty ku megjithëse ekonomia eshtë në recesion, ku rubla ka humbur gjysmën e vlerës së saj, sërish sondazhet e japin Putin me mbi 80 përqind të pëlqimeve. Dhe megjithë manipulimin e sondazheve, edhe Nju Jork Tajms binte dakort të hënën se pëlqimi i Ladit rus, nuk është më i vogël se 70 përqind. Duke pranuar se tashmë autoritarizmi i tij nuk bazohet më tek ekonomia , por tek gjeopolitika. Se vërtet Rusia e do Putin dhe jo sepse manipulohen zgjedhjet. Interesante për Nju Jork Tajms por ndoshta ndryshimi kështu vjen: duke e pranuar të vërtetën dhe thënë atë me ze të lartë.
Meqë ra fjala:
Gëzuar 2017 dhe harrojeni Europën edhe këtë vit. Ndoshta do jemi më mirë pa të.
Posaçërisht për Javanews.al