Lajmi është bërë i ditur për Monitor nga drejtoresha e tatimeve, Vasilika Vjero.
“Ministria e Financave është duke punuar për draftimin e një projektligji për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, parashikohet që të bëhet edhe fshirja e gjobave për personat e vetëpunësuar të cilët nuk kanë bërë në afatin e caktuar deklaratën e tyre”, ka pohuar ajo.
Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, pas përditësimit të sistemit të e-tax. Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë.
Pavarësisht kësaj, në tetor, tek bizneset u shkaktua konfuzion pasi morën një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara, ku përfshiheshin dhe gjobat të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat bizneset ishin në pritje të faljes.
Si ndryshoi projekti për faljen fiskale
Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.
Në shtator, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i financave Ahmetaj u tërhoq dhe tha se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Kush paguan detyrimet do të ketë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa ata që nuk e paguajnë do t’i mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve. Tashmë pritet të shohim se çfarë do të përmbajë drafti i ri i faljes fiskale./ Monitor
/ma.me