Kemi shkuar për Krishtlindje në shtëpinë e Dritëro e Sadije Agollit. Si ka festuar çifti dikur e si kanë ndryshuar e janë zhvilluar traditat me rritjen e familjes. Vera, rakia, librat, dhuratat… Sepse në familjen Agolli festa nis që në tetor dhe nuk di të ndalet deri në ditët e para të janarit, edhe tani që gjyshi nuk është fort mirë me shëndet! Dritëro Agolli, bashkë me të shoqen, Sadijen, prej vitesh nuk dalin nga shtëpia.
Gjithë ç’ngjet nëpër qytet, për festa e përtej tyre, i marrin vesh nga vizitorët e panumërt që hyjnë në shtëpinë e tyre o nga televizori. Madje, edhe për këtë të fundit interesi po humbet gjithnjë e më tepër, sidomos tani që Dritëroi, për shkak të rëndesës së moshës, nuk është më dhe aq aktiv. Nëse pak vite më parë Dritëro Agollit i duhej të pyeste këdo që i shkonte për të uruar në shtëpi “Ç’bëhet jashtë?”, tani edhe për këtë interesi nuk është më ai i dikurshmi. Sigurisht që kohën e festave e ndien edhe ai… me dy fëmijët që ka në shtëpi, nuk ka si të ndodhë ndryshe. Në fakt, nipërve e mbesave, tashmë, vetëm gjyshërit vazhdojnë t’u thërrasin fëmijë, sepse të gjithë janë rritur e nuk janë më ata vogëlushët e dikurshëm që mbanin sytë nga letra e gjyshit, ç’lodër u kishte shkruar…
Siç u përcoll edhe nga dita e lindjes së tij në përvjetorin e 85- të, shkrimtari Dritëro Agolli nuk ka më energjinë e dikurshme. As në kolltukun e tij të preferuar, për ta vëzhguar qytetin vetëm nga dritarja e për ta veshur pamjen me kujtime të largëta, nuk rri më gjatë, për të shkruar a lexuar, si ca vite më parë. Megjithatë, pavarësisht pamundësisë së të qenit aktiv, Dritëroi e Sadija kanë kujtimet e tyre nga kohërat e rinisë së parë e asaj ca më të vonë. Është pikërisht Sadija që na ndihmon të futemi nëpër kohët e ndryshme festive të shkrimtarit…
“Në kohën tonë, edhe në fshat, ku nuk kishte asgjë, kujtoj që vinim gramafonin vetëm për të krijuar një atmosferë ndryshe, për t’u gëzuar”. Qysh kur mori shtëpinë në qendër të Tiranës, vetëm për atmosferë nuk ishte më nevoja. Festa ndihej gjithnjë sapo u afroheshin datat. Shtëpia zbukurohej gjithandej. Përveç pemës, që sot zë një kënd të posaçëm në sallonin që e njohin jo pak veta, edhe muret janë të dekoruara me drita e me zbukurime të vogla.
Vit pas viti, gjyshi dhe gjyshja, po sidomos ai i pari, e kishin zakon t’u bënin nga një lojë të vogël fëmijëve (sot, për shkak të moshës së tyre, truket nuk funksionojnë më), pra nipërve e mbesave që presin dhuratat, si përherë (madje të zotët e shtëpisë nuk mendojnë vetëm për ta, kujdesen që të sajdisin edhe mirëmbajtësen e pallatit, për t’ia ndryshuar sadopak humorin). “Herë mendonte t’u blinte ndonjë dhuratë përpara se t’ua kishte blerë mendjen se ç’dëshira kishin, herë u bënte gati zarfet për t’ua dhënë përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që ata të bënin me to ç’të donin vetë”, tregon Sadija. E sigurt është që dhjetori shkon me mendime vetëm për fëmijët prej të dy gjyshërve. Këto vitet e fundit, madje, e ka “lëshuar” pak më tepër dorën brenda zarfit.
Askush nuk pret më që dhuratat të lihen poshtë bredhit. E merr secili buzagaz në dorë, për të vrapuar në dyqanin për të cilin ka menduar gjithë muajt e fundit. Kështu ka qenë gjithmonë. Jo vetëm tani që shtëpia është e madhe e me shtatë pjesëtarë, por edhe 30 vite më parë, kur vetëm ata të dy, çifti i ri, sapo kishin futur këmbët në apartamentin në qendër të Tiranës (vazhdon të jetë po ai).
DHURATAT E RITET E TJERA TË FESTËS NË SHTËPINË AGOLLI
Pema zbukurohej aty ku është sot, në qoshen pranë dritares, aty pranë telefonit fiks, ku Dritëroit i është dashur të rrijë sa e sa herë për t’iu përgjigjur pyetjeve pa fund të gazetarëve. Sapo afron data 15 dhjetor, vetvetiu, të gjithë pjesëtarët e familjes përkushtohen për t’i dhuruar vetes e njëri-tjetrit një atmosferë ndryshe të shtëpisë. Sepse përpara nuk kanë vetëm Krishtlindjet e Vitin e Ri, por edhe ditëlindjen e Drisartës, “të voglës” së gjyshërve që vetëm pak ditë më parë bëri 16 vjeçe. Duke qenë e privilegjuara e dhjetorit (apo e dhjetorëve), Drisartës i bëhet më shumë qejfi, edhe dhuratat i janë zbuluar përpara të tjerëve.
Ca sepse si më e vogla e derës nuk ka durimin e më të rriturve, por ca edhe sepse as gjyshit nuk i pritet deri sa t’ia shohë buzëqeshjen e madhe. Përpiqet që tek ajo të zbulojë gjithnjë talentet e çfarëdo fushe. Për shembull, sapo ta dëgjojë të këndojë, pra të tregojë interes ndaj muzikës, shkon e i blen piano. “Kur ua lëmë atyre të zgjedhin vetë se ç’duan të kenë për festa, ua japim ato që kemi menduar pak më parë. Kështu që kanë mundësi të mendohen pesë ditë për atë që do të marrin”. Ama toleranca nuk kanë vetëm për të vegjlit. Po aq përkushtim tregojnë edhe për më të madhen, Anën, që tashmë ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet dhe është punësuar po aty, në Paris. Malli për të i lexohet në rrudha sapo i përmendet emri. Ata të dy, sikurse edhe Ana, e presin gjithnjë me padurim ardhjen e saj.
Sa më shumë të nxitojë, aq më mirë për ta. Kështu, të gjithë bashkë do të shijojnë gëzimin e asaj shtëpie që nuk di të mbyllet kurrë. Të dy ata, Dritëroi e Sadija, i pari i ulur në kolltukun e tij pranë tryezës së rrumbullakët, gjithnjë me libra e me gotën e rakisë përpara, ndërsa tjetra gjithnjë në këmbë për t’i sajdisur të gjithë (sikur të mos kishte edhe ajo vitet e saj), presin e përcjellin të gjithë. Miq të rinj e të vjetër. Sa herë e keni parë edhe ju në raste përvjetorësh, përmes ekranit, kur shkojnë e i takojnë në shtëpi, ku radha për t’i dhënë dorën nuk kuadratohet dot nga kamera. Tek flet, ndodh që të nxehet a shpërqendrohet me telekomandën e televizorit në dorë, për shkak të debateve të ndryshme politike që dëgjon.
E nxjerr dufin, thotë çka për të thënë e sërish i rikthehet festës, atmosferës, e cila nuk mund të mendohet për të pa gotën e rakisë përpara. Aq mirë e dinë këtë miqtë e tij, saqë thuajse të gjithë nuk e kalojnë pragun e derës pa marrë një shishe raki të mirë me vete. Libri, pa dyshim, është një tjetër dhuratë e shtrenjtë. Të dyja këto dhurata vazhdojnë të vijnë deri në mesin e janarit. Është radha e Majlindës, nuses së djalit, Artanit, që do t’i duhet të heqë zbukurimet e dritat me ngjyra të pemës, edhe pse askush nuk e mohon që e kanë ngrohur shumë atë shtëpi.
ANA NOSTALGJIKE DHE E TRISHTË E FESTËS
Dera dhe telefoni i tyre i shtëpisë nuk pushojnë asnjëherë. Sadija është përherë e gatshme t’u përgjigjet thuajse të gjithëve, sado që për takime e pyetje të gjata, si Dritëroi, si ajo, nuk janë më në gjendje. Sidomos tani, në dhjetor, kur ca për shkak të moshës e ca për shkak të ngacmimeve të tjera të jashtme, ndjeshmëritë bëhen më delikate. “E gjejmë shpesh veten të na ketë kapur trishtimi. Jemi ngujuar në shtëpi, nuk kemi më mundësi fizike për të lëvizur. E sikur të mos mjaftonte, në fundvit, sa herë që marrim bllokun e telefonit për të kujtuar e uruar miqtë tanë të rinj e të vjetër, shohim që shumë prej tyre nuk jetojnë më.
Sa emrave u duhet vënë kryq nga ai bllok i vjetër…!”. Domosdo që miqtë e munguar, dikur një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së tyre, ngacmojnë kujtimet e atyre të dyve, nisin e bëhen nostalgjikë. Të mos ishte për zhurmën e nipërve e mbesave, që ashtu energjikë siç janë, hyjnë e dalin zhurmshëm nëpër shtëpi, malli do të ndihej edhe më shumë.
“U bënë vite që nuk dalim për Vit të Ri. Qysh kur unë kam qenë 50 vjeçe e Dritëroi 60. Asokohe dilnim gjithnjë pas mesnate e takonim miqtë, për të cilët ju thashë më parë”. Tani mund të shijojnë veç vizitat e urimet përmes të gjitha mjeteve. Veçse, këtë vit, edhe në këtë aspekt, diçka ka ndryshuar. “Ju e merrni me mend se sa shumë kartolina na vijnë, gjithnjë, çdo vit u jemi përgjigjur të gjithave. Dikur, në ditët përpara ndërrimit të viteve, Dritëroi ulej e i shkruante kartolinat një e nga një. Tashmë nuk mund ta përballojë. Shëndeti jo i mirë nuk e lejon më të shkruajë, për më tepër aq shumë. Kartolinat tona vitet e fundit porositen të shtypura”.
FESTA NIS GJITHMONË QË NË TETOR
Tetorin që sapo lamë pas, në ditën e 13-të të tij, Dritëro Agolli festoi 85-vjetorin. Mediat e përcollën një pjesë të atmosferës që u krijua në atë shtëpi të atyre ditëve. Kush e kush të shkonte për t’i dhënë dorën, për ta përshëndetur e uruar. Ama, pjesën tjetër ju nuk e keni parë. Nuk i keni parë të gjitha ato shishe vere, të huaja e të vendit, që i vinin shkrimtarit bashkë me urimet. Si dashamirës i tyre, dikur, nuk mund t’i linte pa provuar, por tashmë kushtet shëndetësore nuk janë më ato të dikurshmet. Megjithatë, shishet hapen e dollitë nuk rreshtin asnjëherë.
Pra, njëfarësoj, prej dy muajsh në shtëpinë Agollit është festë. Me të përfunduar vizitat e ditëlindjes së tij, nisin ato për ditëlindjen e Drisartës, pastaj festat e kështu me radhë. Vera e rakia është çdo fundvit e siguruar. Sa për ushqimin, me të cilin merret Majlinda, i preferuari i tyre, që është gjendur përherë mbi tryezë, është gjeli i detit. Por ka një ndryshim! Gjelin nuk e bëjnë me përsheshin, me të cilin jemi mësuar (sipas traditës së disa zonave kryesisht nga Jugu), por me petanik. Jo se të dy ata konsumojnë aq shumë, ama nuk e lënë pa e provuar edhe shijen ndryshe./panorama/a.k