Kjo i hap rrugë amerikanëve dhe BE që të nisin punë për të kapur dy institucionet kyçe të luftës ndaj korrupsionit. Sipas burimeve, ata kanë nisur punë për të gjetur njerëzit që do vihen në krye të tyre dhe drejtorive kyçe. SOT ka mësuar se 4 prokurorë janë në garë për të marrë drejtimin e BKH dhe SPAK, mes të cilëve 2 femra dhe ato janë më favoritet. Ditët e fundit ata janë thirrur në ambasadat e SHBA dhe BE, bashkë me të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që pritet të garojnë për në KLGJ dhe KLP.
Të gjithë individët që do rekrutohen në kuadër të reformës janë thirrur në ambasada dhe po zhvillohen trajnime dhe po selektohen të duhurit. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se ka nisur dhe trajnimi i tyre, që të jenë të aftë për vështirësitë me të cilat do përballen. Interesant është fakti se bëhet fjalë për 2 femra, të cilat janë beqare dhe nuk kanë shumë preokupime familjare.
Duke qenë se SPAK do hetojë dosje shumë të mëdha dhe jeta e prokurorëve është në rrezik, duket se po përzgjidhen individë pa familje dhe që të mos shantazhohen kollaj, ndryshe nga sa ndodhi me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Mësohet se SHBA dhe BE i kanë bërë gati ekspertë që do asistojnë në këtë proces dhe si duket kanë piketuar individët që do të marrin drejtimin e individëve. Me qëllim që ata të kenë aftësitë më maksimale dhe të kalojnë të gjitha kushtet, do u nënshtrohen trajnimeve intensive.
Ambasadori Donald Lu e ka deklaruar pak kohë më parë se Byroja e Hetimit do merret nga FBI. Për këtë arsye ata po përzgjedhin njerëzit më të besuar dhe që nuk do kenë ndikim politik. Emrat e kandidatëve nuk dihen, por dihet se janë duke punuar në prokuroritë e vendit.
Ata janë prokurorë shqiptarë dhe kanë studiuar jashtë. Sipas burimeve, prokurorët e Krimeve të Rënda deri më tani nuk kanë pranuar që të garojnë për në SPAK, kjo për shkak se duhet të pranojnë heqjen dorë nga privatësia. Ligji e ka përcaktuar qartë se të gjithë do i nënshtrohen fillimisht një kontrolli të rreptë dhe do jenë në vëzhgim gjatë gjithë kohës. Sipas përcaktimeve, 2 do jenë në krye, ndërsa 2 të tjerat do jenë zëvendëse apo do mbajnë poste shumë të larta.
Kushtet për prokurorët
Në ligjin për organet e luftës kundër korrupsionit, janë përcaktuar me detaje të gjithë kushtet që duhet të plotësojnë anëtarët e Byrosë së Hetimit apo Prokurorisë e Gjykatës Speciale. Sipas ligjit, përpara emërimit, kandidatët për gjyqtarë dhe pozicione të tjera në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kandidatët për prokurorë dhe pozicione të tjera në Prokurorinë e Posaçme firmosin deklaratën përkatëse me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për pritshmëri për privatësi (jetën private) në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare të dhënë në Aneksin B.
Kjo deklaratë firmoset përpara se ata të caktohen me detyrë apo të punësohen. Sipas ligjit të gjithë punonjësit e Byrosë dhe SPAK do jenë në përgjim të vazhdueshëm. Atyre dhe të afërmve të tyre do u kontrollohet pasuria dhe çdo aktivitet. Po ashtu janë të detyruar që të komunikojnë vetëm me një numër celulari, i cili është në përgjim të vazhdueshëm. Një tjetër kriter është kalimi i testit të poligrafit. Jo të gjithë do mund t’i plotësojnë këto kushte, por 4 prej tyre duket se falë ndihmës së SHBA do e kenë këtë mundësi.