Nga Ben Andoni/
Është një akt normal, që ndërsa bën liberalizim të vizave për disa vende, promocion, mund të jesh pak më i kujdesshëm me të gjithë procesin grishës. Që do të thotë, të tregosh me kurajë dhe zgjuarsi se nuk ke infrastrukturë të mirë në disa segmente, se nuk ke shërbim të mirë në disa të tjera dhe se në disa pjesë të Shqipërisë është mirë të mos shkohet. Arsyeja është e thjeshtë: strukturat e vendit tënd nuk i përgjigjen dot promocionit që bëhet me paratë e taksapaguesit shqiptarë dhe që shkon dëm thjesht me aksidentet e zakonshme rrugore, me shërbimin e keq hotelier dhe gastronomik, sjelljen e shumë qytetarëve të pandërgjegjshëm dhe mbi të gjitha me krimin.
Për këtë të fundit, në ditët tona, kemi se çfarë të themi. Kemi një bandë gati vitale, që shpëtoi nga rrethimi në Lazarat, për të dytën herë me rradhë dhe kemi kudo vrasës gjakftohtë, që të eliminojmë ngado. Rasti i dy turistëve çekë ishte i fundit, por ndër të parët e konfirmuara në fillim të këtij sezoni turistik, që të bën të mendosh se pasojat e tij do e mbysin promocionin por më shumë se kaq forcën e imazhit, që Shqipëria shpesh e ngre nga opinionet e të huajve dashamirë.
Shqiptarëve u pëlqejnë shumë gjërat e mira që thuhen për vendin e tyre, por aman anashkalojnë faktin se në shumicën e promocioneve Shqipëria të grish thjesht për qashtërsinë e saj, mjedisin gati të virgjër, që i shtohen kushtet e mira hoteliere (në jo pak vende jo shumë komode) dhe mbi të gjitha sjellja me vendasit, që në shumë raste lë për të dëshiruar.
Të gjitha këto i bëjnë institucionet tona turistike, se veçmas ngritjes së promocionit duhet të bëjnë një road-map se ku nuk duhet shkuar prej infrastrukturës, ku prej shërbimit dhe se ku, Shqipëria nuk është e sigurt. Në mënyrë që fjalisë “Mos hajdeni në Shqipëri”, që do ta luajnë fort fqinjët tanë tashmë në kushtet e konkurrencës turistike, ne mund t’i përgjigjemi thjesht me transparencë dhe me qetësi: “Hajdeni, por kini kujdes…”. Pasi, nuk jemi aq vend i sigurt, saç e shesin politikanët në televizor…