Panetonia është ëmbëlsira më e preferuar e Krishtlindjeve. Megjithëse është ëmbëlsirë italiane edhe ne e kemi përqafuar si ide, që ëmbëlsira karakteristike e Krishtlindjeve është ajo.
Por si lindi kjo ëmbëlsirë?
Panetone lindi në Milano dhe origjina e saj daton nga shekulli i XIV. Panetone tradicionale e Milanos është ajo e gjata, por ekziston edhe varianti i shkurtër dhe i gjerë, i cili është përhapur më së shumti në Piemonte. Panetone tipike e traditës milaneze, e cila konsiston në gatimin e saj me dorë, është një produkt furre, me përbërës natyralë për ardhjen e brumit dhe ka një formë tipike cilindrike të marrë nga “letra e furrës”, e cila ngjitet derisa produkti të përfundojë. Ëmbëlsira përfaqëson një strukturë të butë dhe një aromë tipike të fermentuesve si soda e bukës. Panetone tipike e traditës artizanale milaneze gatuhet me ujë, miell, gjalpë, vezë (ose vetëm të verdhat e vezëve), por mund të shtohen edhe copa të prera të frutave të freskëta, lëkurë portokalli ose qitroje.
Ja si të përgatisni panetone vetë në shtëpi:
Përbërësit:
1 kg fruta të thata të përziera si rrush, qershi, portokall, kumbull, kajsi, mollë etj.
1 gotë lëng portokalli
1 gotë lëng limoni
150 ml konjak ose rum
250 gr gjalp i shkrirë
200 gr sheqer ngjyrë kafe (ose të bardhë)
175 gr miell
100 gr bajame të prera në feta të holla
½ lugë pluhur pjekje
1 lugë kanellë
1 majë luge karafil pluhur
4 vezë të mëdha
1 lugë ekstrakt vanilje
Në një tigan me zjarr të ngadaltë hidhni konjakun ose rumin, gjalpin, frutat e thata dhe sheqerin, lërini të ziejnë për 5 minuta. Më pas hidheni masën e krijuar në një tas të madh dhe lëreni të ftohet në temperaturën e ambientit për 30 minuta. Pasi masa të jetë ftohur hidhni me ngadalë miellin, pluhurin e pjekjes, lëngun e limonit, lëngun e portokallit, kanellën, karafinin, vaniljen dhe vezët, të gjithë përbërësit përziejni sëbashku derisa të formohet një miell i butë dhe elastik. Merrni një enë të rrumbullakët në formën e kekut dhe lyejeni me gjalp dhe hidheni brumin. Sipër brumit shtoni bajamet e prera në feta të holla. Futeni panetonen të piqet për 25 minuta në temperaturën 180 gradë.
Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Krishtlindjet!/balkanweb/