Gazeta britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar trafikut të kokainës nga mafia shqiptare në Belgjikë.
Mafia shqiptare sipas gazetës së njohur kontrollon portin e rëndësishëm të Antwerp në Belgjikë,i njohur si kryeqyteti i kokainës.
“Është i njohur për tregtinë e diamantit – por tani Antwerp është kryeqyteti i kokainës në Europë. Kontrabandistët përdorin portin për të çuar drogë në Britani pas kërkesave rekord. Rojet e kufirit në qytetin belg po humbin luftën kundër lordëve kolumbianë të drogës. Anëtarët e mafies shqiptare me bazë në Antwerp më pas e dërgojnë drogën në Britaninë e Madhe” thuhet në artikullin e Mirror.
Më pas në shkrim citohet edhe një informator në porti i cili thotë se “Kartelet e drogës e kanë zbuluar se është relativisht e lehtë të përdoret Antwerp si një rrugë arratisjeje për në Britani. Stafi i portit bën më të mirën dhe kanë zbuluar një numër të madh komplotesh. Por ata nuk kanë burimet për t’i ndalur këto. Ata po e humbasin luftën duke fituar vetëm disa beteja të vogla” thotë informatori.
Sipas artikullit që bazohet në disa informacione nga policia belge dhe punonjës në portin e Antwrpit, në artikull shkruhet më tej se “I gjithë porti i drogës është tani kryesisht i kontrolluar nga shqiptarët, të cilët kontrabandojë drogë këtu nëpërmjet Southend, Essex, përpara se ta shpërndajnë në mbarë vendin – me fokusin kryesor në Londër”.
Statistikat zyrtare tregojnë vetëm 2% të 8 milionë kontenierëve që kalojnë nëpërmjet Antwerp çdo vit arrijnë të kontrollohen dhe sasia e drogës që kalon pa u pikasur është shumë më e madhe. Punëtorët e porteve në Kolumbi, Ekuador dhe Venezuelë po ia bëjnë më të vështirë policëve belgë duke e futur drogën në kontenierë legjitimë duke anashkaluar vulën e sigurisë përpara se të fillojnë udhëtimin e tyre. Shifrat zyrtare tregojnë nivele rekord të kokainës që kontrabandohet në Europë nëpërmjet Belgjikës.
Në doganën belge u zbuluan rreth 22 tonë kokainë në 8 muajt e parë të vitit 2016, më shumë se sa rekordi i mëparshëm i 18 tonëve në total në të gjithë vitin 2012. Në muajin mars, zyrtarët gjithashtu zbuluan 3 tonë kokainë në një kontenier bananesh nga Kolumbia. Mafia shqiptare cilësohet në artikullin e “Mirror” si më e forta në këtë territor dhe që kryen dërgesat e mëdha.
“Mafia shqiptare është ajo që përfiton më shumë, me transportin në Britani. Ata e shesin me 50 mijë euro kilogramin në Angli, ndërkohë që në vende të tjera shitet me 30 mijë euro”, thuhet në artikull./a.m.