Ekspertët britanikë e shqiptarë, të cilëve u është besuar kryerja e procesit të akreditimit të universiteteve në Shqipëri, kanë dorëzuar pas një pune 8-mujore raportet paraprake për 6 universitetet e para në vend.
Sipas ekspertëve të ENKAS, vlerësimet kanë qenë pozitive, por nuk kanë munguar edhe rekomandimet. Rektori i universitetit Politeknik, Andrea Maliqari, në një intervistë për TVSH-në tha se tashme realiteti i universiteteve publike është i dukshëm.
“Mua më vjen shumë mirë që morëm një vlerësim pozitiv në lidhje me kurrikulat dhe për zhvillimin e procesit mësimor, por njëkohësisht na janë përcaktuar disa objektiva” tha Maliqari.
Ai përmend sigurimin e ambjenteve të nevojshme dhe të përshtatshme, duke vendosur një raport të drejtë në raport me sipërfaqen që i takon një studenti. “Universitet duhet patjetër të mbështeten me laboratorë, qoftë të karakterit mësimor, qoftë të karakterit shkencor. Përditësimi i këtyre laboratorëve në raport me teknologjitë e reja përbën një tjetër objektiv të rëndësishëm i përcaktuar nga ekspertet britanikë dhe shqiptarë”, tha rektori i universitetit Politeknik, Andrea Maliqari.
/a.m.