Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare Socialiste u bënë dhe 20 kooptime të reja. Një pjesë e tyre janë ish-ministra të qeverisë së parë socialiste, 1997-2005, të drejtuar nga Fatos Nano dhe Ilir Meta, si ish-ministri i Arsimit, Et’hem Ruka, ish-ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, nënkryetar i PS, ish- ministri Ilir Zela, raporton “Panorama”.
Ata kanë qenë anëtarë të Asamblesë Kombëtare deri në 19 mars të këtij viti, kur kongresi i PS-së zgjodhi Asamblenë e re, por ata nuk u përfshinë në listën e kandidatëve, duke u lënë jashtë konkurrimit.
Nuk munguan qejfmbetjet për këtë shmangie të tyre, por që askush prej tyre nuk i bëri publike shkruan Panorama. Në listën e të kooptuarve në Asamblenë Kombëtare të PS-së është përfshirë edhe ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili u tërhoq nga kandidimi në 2015-n për t’ia lënë vendin kandidates së LSI-së në këtë bashki.
Bukurosh Stafa, ish-deputet i PS-së, aktualisht kryetar i këshillit të qarkut Elbasan, është bërë pjesë e Asamblesë Kombëtare.
Në vitin 2006, ai u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PS-së, pasi bashkë me gjashtë deputetë të tjerë socialistë dha votën për zgjedhjen e Bamir Topit si President. Kjo zgjedhje çoi në dorëheqjen e kryetarit të atëhershëm të Grupit Parlamentar Socialist, Ben Blushi.
Një tjetër deputet socialist është bërë pjesë e asamblesë, Mezan Malaj, i cili ka qenë mbështetës i Edi Ramës, kur kandidoi në 2005-n për kreun e PS-së.
Edhe Mark Nikolli, ish-kryetari i Komisionit të Garancive Stature është rikthyer në Asamble. Nga Asambleja Kombëtare janë larguar Koço Kokëdhima, por dhe dy deputetët, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi./a.m.