E turpshme! Kështu e cilësoi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu votën e Këshillit të Sigurimit që kaloi rezolutën që i kërkon shtetit hebre që të ndalë ndërtimin e banesave të reja në territoret e pushtuara palestineze.
“Ne nuk do t’i bindemi kësaj rezolute. Në një kohë kur Këshilli i Sigurimit ka dështuar në ndalimin e masakrës ndaj gjysmë milioni njerëzve në Siri, paturpësisht i kundërvihet të vetmes demokraci në Lindjen e Mesme dhe e quan Bregun Perëndimor territore të pushtuara”, deklaroi Netanyahu.
Këshilli prej 15 anëtarësh kaloi rezolutën e propozuar nga Egjipti pas refuzimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur veton ndaj saj. Ekspertët e interpretojnë këtë vendim të Uashingtonit si piku i tensioneve në marrëdhëniet mes Benjamin Netanyahut dhe Barack Obamas.
Kundër rezolutës u deklarua edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Ai e komentoi atë si zakonisht në Twitter.
“Sa për atë që ndodhi në OKB, gjërat do të jenë krejtësisht ndryshe pas 20 Janarit”, tha ai.
Të ashpër me qëndrimin zyrtar amerikan në Këshill u treguan edhe republikanët e tjerë, ndërkohë që ambasadorja e SHBA në OKB, Samantha Power mbrojti votën abstenuese.
“Qëndrimi ynë nuk bën gjë tjetër veçse reflekton atë që po ndodh në terren, ku kemi patur një përshkallëzim dhe përshpejtim të ndërtimeve”, deklaroi ajo shkruan tch. Power kritikoi Netanyahun duke lënë të kuptohet se po mban qëndrime të dyfishta.
“Nuk mundet një njeri të jetë edhe promovues i idesë dhe zgjidhjes së dy shteteve, që do të sillte paqen e përhershme dhe njëkohësisht të mbrojë me fanatizëm zgjerimin e ndërtimeve”, shtoi e dërguara e Uashingtonit në OKB.
Palestinezët e përshëndetën rezolutën. Presidenti Mahmoud Abass e cilësoi kalimin e saj një goditje e fortë për politikat e Izraelit.
Në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor jetojnë rreth 500 mijë hebrenj të vendosur në 140 zona të ndërtuara që prej pushtimit të vitit 1967. Ndërtimet konsiderohen ilegale nga ligji ndërkombëtar, por Izraeli e kundërshton këtë./a.m.