Pas konsultimeve me Prokurorë, Gjyqtarë, Avokatë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Ministria e Drejtësisë ka propozuar disa ndryshime në Kodin Penal, me qëllim dhënien e një drejtesie penale eficente.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Ministria e Drejtësisë sqaron se prej kohësh është konstatohet se në sistemin tonë penitenciar gjenden më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. Në këtë drejtim, Ministria e Drejtësisë thekson se përdorimi i masës së sigurisë “arrest me burg” është një masë shtrënguese shumë e përdorur, pavarësisht masave të tjera alternative që legjislacioni penal parashikon.
“Shoqëria civile dhe institucionet që monitorojnë zbatimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kanë bërë gjithnjë konstatime negative në lidhje me këtë gjendje. Drejtësia penale është më e prekshmja për sytë e opinionit publik, e për pasojë çdo raport konstatues merr edhe vëmendje të lartë.
Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të Prokurorisë dhe të Policisë së Shtetit kanë konstatuar se legjislacioni ynë procedural penal lejon aplikimin e dy dhe më shumë standardeve në vendosjen e masave të sigurisë në procesin penal.
Neni 27 i Kushtetutës përcakton termin “dyshim i arsyeshëm”, por Kodi i Procedurës Penale nuk e specifikon se çfarë do të thotë ky term në kushte konkrete. Mos detajimi i kësaj terminologjie bën të mundur përdorimin abuziv të masave të sigurimit ndaj personave të dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
Kemi vlerësuar se duhet ta përkufizojmë dhe zbërthejmë mirë se çdo të thotë dyshim i arsyeshëm. Kjo nismë propozimesh sipas nesh përbën një transformim të madh të ndjekjes penale, sepse godet përfundimisht kulturën e abuzimit dhe të zbatimit selektiv, të interpretimit të gjerë dhe “sipas dëshirës” të ligjit, duke e vendosur atë në shina parimore dhe të barabarta për të gjithë.
Nga ana tjetër, ky transformim vendos në pozita të forta përgjegjshmërie prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, sepse tashmë këto ndryshime që ne propozojmë, kërkojnë saktësi hetimore dhe përgjegjshmëri të lartë në ushtrimin e ndjekjes penale“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Në propozimet e Ministrisë së Drejtësisë Gjykata e Lartë vendoset në rolin e saj të vërtetë unifikues dhe drejtues të praktikës gjyqësore dhe jo si gjykatë e shkallës së tretë. “Ky është një propozim gjithashtu me natyrë transformuese, sepse pritet të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si administrohet dhënia e drejtësisë penale në gjykata“.
Përveç ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, Ministria e Drejtësisë propozon gjithashtu edhe disa ndërhyrje saktësuese në Kodin Penal, për rastet e kultivimit, trafikut të lëndëve narkotike dhe rishikimin e veprave penale në fushën e shëndetësisë.
“Rregullimin e disa dispozitave me qëllim përmirësimin e trajtimit të të miturve nga sistemi i drejtësisë penale;
-Zgjerimin e rasteve të aplikimit të masave alternative të vuajtjes së dënimit dhe orientimin drejt aplikimit të masës së arrestit me burg dhe dënimit me burgim, si masa të fundit;
-Rritjen e efikasitetit të luftës kundër kultivimit, trafikimit, tregtimit të bimëve dhe lëndëve narkotike, uljen e ofertës së drogës, dhe parashikimin e dënimeve proporcionale lidhur me sasinë e llojin e tyre;
-Rishikimin e veprave penale në fushën e shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mirëfunksionimin e sistemit“.