Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar të shtunën liderët e partive politike shqiptare në një takim për të harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjet që janë në interes të shqiptarëve, para nisjes së bisedimeve për formimin e qeverisë së re.
Nisma e Ahmetit vjen pas rezultatit të ngushtë mes partive politike maqedonase, VMRO dhe LSDM, të cilat nuk do të mund të formojnë qeverinë pa koalicionin me të paktën dy parti politike shqiptare, por edhe për shkak të rezultatit jo të favorshëm të BDI-së, e cila ka një përgjysmim të mandateve nga përbërja e kaluar parlamentare.
“BDI-ja në zgjedhjet e fundit ka dalë me platformë të qartë, me pesë përbetimet e saja, mirëpo për hir të konstruktivitetit, ne në takimin e së shtunës nuk do të imponojmë agjendën apo platformën tonë, pasi dëshirojmë të kemi një takim të hapur, ku secili do të ketë mundësinë të jep qëndrimet veta dhe kontributin për krijimin e një platforme shqiptare, për shkak të kontestit historik të krijuar, ku shqiptarët duhet të përcaktojnë ose të jenë çelësi i qeverisë së ardhshme”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, transmeton rel. (b.an)