Programi mbështet në mënyrë specifike zbatimin e strategjisë së Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit, duke vazhduar programin e tij të asistencës teknike EURALIUS.
Programi mbështet gjithashtu sektorin e transportit, me fokus te mirëmbajtja e rrugëve për të siguruar efikasitetin në planifikimin dhe shpenzimin e burimeve publike.
Gjithashtu, do të sigurohet mbështetje për sektorin e mjedisit me fokus te zbatimi i strategjisë për furnizimin me ujë dhe ujërat e zeza, si dhe te bujqësia dhe zhvillimi rural, veçanërisht për zhvillimin e një kadastre të truallit dhe përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe standardeve veterinare dhe fitosanitare, duke pasur parasysh forcimin e eksporteve agro-ushqimore, si dhe sektorin e peshkimit. Kjo do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar më shumë vende pune dhe prosperitet për gjithë qytetarët e saj.
Veç kësaj, do të sigurohet asistencë financiare për shoqërinë civile dhe për mbështetjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet dhe agjencitë e Bashkimit Evropian, si “Erasmus+”, “Horizon 2020” dhe “Creative Europe”, në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria përfiton gjithashtu nga asistenca e BE-së në kuadrin e programit shumëvendësh IPA II, që siguron mbështetje financiare në shkallë rajonale.
/a.m.