Atentatori i Berlinit Anis Amri është vrarë në Italinë veriore, pas një shkëmbimi zjarri me policinë italiane. Këtë referojnë mediat e vendit fqinj, duke dhënë edhe detajet e ndodhisë së mbrëmshme. Ka qenë më saktë ora tre e mëngjesit, kur një incident me armë zjarri ka ndodhur në Sesto San Giovani, në Italinë Veriore, afër Milanos, shkruan Javanews.
Patrullat e policisë janë njoftuar për një ndodhi rutinë, por shpejt është kuptuar se njeri i ndaluar për një kontroll të zakonshëm dokumentash, ishte një element i rrezikshëm. Njeriu rreth të 30-ave ka reaguar dhunshëm ndaj policisë, e cila ka replikuar ndaj dhunës duke përdorur armët e zjarrit. Versioni i deritanishëm thotë se personi i dyshuar ka tentuar të qëllojë kundër dy agjentëve të policisë dhe ka nxjerrë armën duke bërtitur “Allahu Akbar”.
Në trupin e tij u gjet një biletë treni, e cila tregon për lëvizjet e tij. Ai kërkohej në Berlin, por bileta ishte prerë në Francë, pasi vinte nga Chambery në Torino e më pas në Milano. Shenjat e gishtërinjve kanë konfirmuar se i vrari ishte pikërisht Anis Amri, njeriu që kërkohej nga e gjithë Evropa.